LAJMI I FUNDIT:

Këto janë prodhimet vendore, shitja e të cilave është rritur deri në 20%, pas taksës për prodhimet e Serbisë

Këto janë prodhimet vendore, shitja e të cilave është rritur deri në 20%, pas taksës për prodhimet e Serbisë

Vënia e taksës prej 100 për qind, për prodhimet e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, ka bërë që prodhuesit vendorë të shënojnë rritje të prodhimit, por edhe rritje të shitjeve të produkteve “Made in Kosova”.

Vendimi i 21 nëntorit i Qeverisë së Kosovës ka rritur shitjen e produkteve vendore deri në 20 për qind, këtë e kanë thënë disa biznesmen të kontaktuar nga Telegrafi.

Pronari i kompanisë “S//Sprint”, Sami Sopa që merret me prodhimin e veshjeve sportive dhe veshjeve të brendshme, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se pas vënies së taksës prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për produktet e importuara nga Serbia kanë pasur rritje të shitjes së produkteve që i prodhojnë.


“Vënia e taksës për produktet nga Serbia është dashur të merret me herët, por edhe kështu ka ndikuar pozitivisht tek ne si prodhues vendor. Pas vendosjes së taksës shitja e prodhimeve tona ka filluar të ngritët prej 10 deri në 15 për qind. Analizat bëhet në fund të muajit por sasitë e produktet që porosit blerësit është rritur deri në 15 për qind”, tha Sopa.

E, Visar Kelmendi nga Korporata “Rugove” ka thënë se taksa ka ndikuar në rritjen e shitjeve por nuk është e madhe.

“Taksa ka ndikuar në rritjen e shitjes së produkteve vendore, por jo shumë. Por si prodhues vendor presim që rritja të jetë edhe më e madhe pasi që edhe konsumatorët e kuptojnë se kemi cilësi të produkteve”, tha Kelmendi për Telegrafin.

Ai ka thënë se çmimet e ujit Rugove por edhe të produkteve tjera nuk do të rriten. “Çmimet e produkteve nuk do të rriten vetëm se jemi duke i shikuar mundësitë që të kemi ulje të çmimeve”, tha Kelmendi

Edhe Bashkim Osmani nga Kompania “Laberion” e cila merret me prodhimin e lëngjeve ka tregua për Telegrafin se prodhuesit e lëngjeve në Kosovës, e mbulojën tregun mbi 65 për qind.

“Pas taksës nuk është vërejtur ndonjë rritje e madhe pasi që ne si prodhues të lëngjeve e dominojmë tregun në Kosovë për lëngje me mbi 65 për qind. Pjesa tjetër e lëngjeve importohen nga Maqedonia, Austria ndërsa nga Serbia ka pasur pak import”, tha Osmani.

Edhe kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se ka rritje të disa prodhimeve vendore pas taksës prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia e Bosnja.

“Prodhimi i blloqeve për ndërtim është rritur për 20 për qind, përpunimi i letrës higjienike për 40 për qind, kemi rritje të theksuar të prodhimit të lëngjeve, vajit, ujit, mishit të pulës për 10 për qind po ashtu edhe prodhimi i barnave është rritur për 10 për qind”, ka treguar Haradinaj.

Edhe në vajin vendor “Floil” kanë treguar se shitja e tij, pas takës është rritur për 20 për qind.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës kishte vendosur më 21 nëntor, taksë mbrojtëse prej 100 për qind, për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja si përgjigje ndaj pengesave për prodhuesit vendorë si dhe shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/