LAJMI I FUNDIT:

Nafta i rikthehet humbjeve

Nafta i rikthehet humbjeve

Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie në sesionin e fundit të kësaj jave, pavarësisht pritshmërive se OPEC dhe Rusia do të vendosin të ulin prodhimin javën e ardhshme, për të balancuar rezervat dhe për rrjedhojë çmimet.

Të dy tregjet ndërkombëtarë pritet të publikojnë humbjet më të mëdha mujore, në dhjetë vitet e fundit, duke rënë me rreth 28%. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 59.7 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 51.4 dollarë për fuçi.

Rritja e prodhimit në Shtetet e Bashkuara, Rusi, Arabinë Saudite dhe në shumë vende të tjera të OPEC, ka ndihmuar në rritjen e rezervave globale dhe ka krijuar mbifurnizim në disa tregje. Në anën tjetër, edhe ngadalësimi i kërkesës, sidomos në vendet në zhvillim, po shton presionin mbi çmimet. Investitorët po presin takimin e OPEC, Rusisë dhe aleatëve të tjerë, që zhvillohet në 6 dhe 7 dhjetor në Vjenë, ku do të diskutohet strategjia e ardhshme e çmimeve.


Por, përpara këtij takimi, tre prodhuesit më të mëdhenj në botë, SHBA, Rusia dhe Arabia Saudite do të zhvillojnë bisedime paraprake në samitin e G20-ës. Referuar të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, prodhimi në SHBA u rrit në 11.7 milionë fuçi në ditë, gjatë javës së kaluar. /Telegrafi/