LAJMI I FUNDIT:

Presidenti ia kthen Kuvendit për rishqyrtim Ligjin e ri për OJQ-të (Dokument)

Presidenti ia kthen Kuvendit për rishqyrtim Ligjin e ri për OJQ-të (Dokument)

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e ka kthyer në rishqyrtim ligjin për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 7 nëntor të këtij viti.

Kthimin në rishqyrtim të Ligjit Nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, presidenti Thaçi e ka bërë për shkak se nenet 3 (1.3), 15 (2), 16 (2), 17 (2), 18 (2), 37, 38 (3.4 dhe 5.4), 41 (1, 1.2, 2 dhe 3), 47 (2) të Ligjit Nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, nuk janë në pajtim me Nenin 44 (1) të Kushtetutës Republikës së Kosovës, si dhe me praktikat më të mira ndërkombëtare për lirinë e asociimit.

Bazuar në këtë ligj të ri për organizatat joqeveritare, akti i themelimit të tyre duhet të vërtetohet edhe tek noteri dhe për personat juridikë nuk është paraparë që akti themelues të nënshkruhet edhe nga përfaqësuesi i autorizuar i personit juridik.


Sipas Zyrës së Presidentit, praktikat e mira të regjistrimit të OJQ-së promovojnë procedura të thjeshta, të shpejta dhe pa pagesë, jo procedura të vështira.

Po ashtu, në nenin 16 (2) të Ligjit nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, parashihet që shoqata duhet të themelohet nga të paktën shtatë persona, duke kufizuar kështu edhe lirinë e asociimit dhe duke rënë në kundërshtim edhe me vlerat dhe frymën e Kushtetutës, sepse shoqatat nënkuptojnë një grup vullnetar të personave me interesa, qëllime ose aktivitete të përbashkëta.

Praktikat e mira kërkojnë që për themelimin e shoqatës duhet të jenë të paktën 2 themelues, kurse deri më tash ato janë themeluar nga tre e më shumë persona dhe në vend që të avancohet kjo praktikë e mirë, me këtë nen krijohen vështirësi edhe për themelimin e shoqatave, për shkak të rritjes së numrit minimal të themeluesve.

Edhe përcaktimi në nenin 17 (2) të Ligjit nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, që fondacioni duhet të themelohet nga tre ose më shumë persona, e kufizon lirinë e asociimit, sepse derisa shoqatat mundësojnë bashkimin e personave, fondacionet janë formë e organizimit që karakterizohen nga fakti që nuk kanë anëtarë dhe mund të themelohen me kapital, me testament apo edhe me lënie të trashëgimisë. Në këto forma të organizimit është i parëndësishëm numri i themelueseve të fondacioneve, përderisa kjo formë e organizimit nuk ka anëtarë.

Shpallja e Ligjit Nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, me përmbajtjen siç është miratuar në Kuvendin e Kosovës, sipas Zyrës së Presidentit, do të rrezikonte lirinë e asociimit të garantuar në Kushtetutë dhe me legjislacionin në fuqi në vendin tonë. /Telegrafi/