LAJMI I FUNDIT:

Sot skadon afati për dekretimin e Sandër Lleshit ministër të Brendshëm

Sot skadon afati për dekretimin e Sandër Lleshit ministër të Brendshëm

Këtë të premte, skadon afati për të dekretuar Sandër Lleshin si Ministër i Brendshëm.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, pritet të marrë një vendim nëse do dekretojë ose jo propozimin e kryeministrit Edi Rama, dërguar në Presidencë për herë të dytë.

Një ditë më parë, presidenti Meta, tha se e njeh shumë mirë Kushtetutën e vendit në lidhje me dekretimin e ministrave dhe asnjë lloj presioni nuk mund të ndikojë tek ai për të shkelur Kushtetutën.


“Për dekretin. Unë nuk jam përfshirë në një deklaratë të tillë dhe asnjë polemikë. Jam President për të respektuar i pari Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Nuk ka asnjë presion që mund të ndikojë tek unë për të cenuar Kushtetutën dhe sikurse ju e dini, jam shprehur edhe publikisht për të informuar Kuvendin, në rast se kuvendi kërkon sqarime. Kam takuar edhe kryetarin e Kuvendit”, tha Meta.

“Vij në pozitën e Presidentit pas një eksperience si kryeministër dhe si kryetar Kuvendi. E di shumë mirë se si funksionon procedura e emërimit të ministrit në vendin tonë. E di edhe nga pozita e kryeministrit. Në ditët e ardhshme do të merrni një përgjigje institucionale dhe korrekte dhe nuk kam ndërmend të përfshihem në debate të karakterit politik dhe spekulativ”. /Telegrafi/