LAJMI I FUNDIT:

Grupi për Studime Juridike dhe Politike prezanton dokumentin me parimet për dialogun me Serbinë në fazën finale

Grupi për Studime Juridike dhe Politike prezanton dokumentin me parimet për dialogun me Serbinë në fazën finale

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) vlerëson se në këtë fazë të Dialogut – marrë parasysh pozicionin e Kosovës – spektri politik i përfaqësuar në Kuvendin e Republikës duhet të dakordohet mbi një Platformë për Dialogun dhe Fazën Finale të tij.

Kështu është thënë në konferencën e mbajtur për media të GLPS,  në të cilin është prezantuar analiza “Çfarë është minimumi i një platforme për dialogun e fazës finale në mes Kosovës dhe Serbisë”?

Ata konsiderojnë që, si pikënisje, partitë politike në Kosovë duhet të orientojnë politikën e tyre partiake dhe institucionale mbi një numër parimesh të cilat sipas tyre, duhet doemos të reflektojnë: a) pritjet minimale të Kosovës nga ky proces, dhe b) vijat e kuqe mbi të cilat nuk mund të ketë negocim.


“GLPS rikujton që formati dhe rezultati i bisedimeve të deritanishme dhe keqpërdorimi i mirëbesimit të Kosovës në këtë proces ka shkaktuar një dëm nga i cili nuk mund të ketë kthim prapa. Prandaj, GLPS, duke u bazuar në misionin e organizatës dhe me qëllim që të kontribuoj në mënyrë më të drejtpërdrejtë në këtë fazë të procesit, u propozon partive politike në Kuvend këtë dokument. Në vlerësimin tonë, ky dokument përmban pikat që duhet të shërbejnë si parime minimale të Platformës për Dialogun mbi Fazën Finale në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në analizën e GLPS.

Më poshtë mund ta lexoni analizën e GLPS:

I. MINIMUMI I PRITJEVE QË KOSOVA DUHET TË REFLEKTOJ NË PLATFORMËN E SAJ
Republika e Kosovës, përveç qëndrimeve që duhet të formulojë për të ndërtuar pozicionin e saj të përhershëm karshi Republikës së Serbisë (sidomos në raport me çështjet që dalin si rezultat i procesit të suksesionit dhe/ose bashkëpunimit të përgjithshëm ndërshtetëror), duhet të qartësoj pritjet minimale të saj nga Faza Finale e Dialogut. Prandaj, GLPS rekomandon që minimumi i pritjeve që Kosova duhet të reflektoj në platformën e saj janë

A) [NJOHJA JURIDIKISHT E PLOTË (DE JURE RECOGNITION) DHE ANËTARËSIMI I KOSOVËS NË ORGANIZATËN E KOMBEVE TË BASHKUARA]
1. Njohja juridikisht e plotë e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë duhet të themelohet bazuar në dhe me referim të drejtpërdrejtë tek parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara që përcaktojnë mëvetësinë e një shteti nga një prizëm univerzal.

2. Që të jetë i tillë, akti i njohjes nga ana e Serbisë duhet të përmbaj konfirmim të drejtpërdrejtë të njohjes së Republikës së Kosovës me të gjitha karakteristikat univerzale të një shteti të pavarur. Prandaj, akti i njohjes duhet të përmbaj referim eksplicit tek Neni 1 (paragrafi 2) dhe Neni 2 (paragrafi 1) të Kartës së OKB-së, përkatësisht t’i referohet tekstualisht Republikës së Kosovës si një shtet i ‘barabartë në mes shtetesh sovrane’ dhe t’ia njeh ‘pavarësinë dhe integritetin territorial’ të saj.

3. Akti i njohjes nga ana e Republikës së Serbisë duhet shprehur qartazi dhe të jetë pjesë esenciale e një klauzole në Marrëveshjen Finale. Ai duhet që në të njëjtën kohë të ofroj qartësi për rezultatin e ‘njohjes universale’.

4. Që njohja të jetë e plotë dhe e padiskutueshme, akti i njohjes apo shprehja e saj (në Marrëveshjen Finale) gjithashtu duhet të qartësoj vullnetit e drejtpërdrejtë të Republikës së Serbisë për të vendosur marrëdhënie diplomatike dhe shkëmbim të misioneve diplomatike sipas qëllimit të dhënë në Nenin 2 të Konventës së Vienës për Marrëdhëniet Diplomatike (1961), dhe me referencë të drejtpërdrejtë në Nenin 1 të Protokollit shtesë për Zgjidhjen e Detyrueshme të Mosmarrëveshjeve i vitit 1963.

6. Çfarëdo lloji i njohjes që nuk përmban këto elemente minimale, dhe/ose që mund të shprehet në formë të njohjes të nënkuptuar apo të kushtëzuar, apo psh në formë të njohjes së qeverisë (pra njohjen e autoritetit të Qeverisë së Kosovës për të qeverisur me Kosovën) të cilat nuk duhet të ngatërrohet me njohjen e drejtpërdrejtë të shtetit, do të duhej refuzuar nga Republika e Kosovës.

7. Çfarëdo natyre tjetër e njohjes, pëveç njohjes së plotë (de jure) me elementet e përshkruara më sipër, veçse do ta thellonin tutje kontestimin e shtetësisë së Kosovës dhe të jepnin sinjale të ndryshme dhe të dykuptimshme për shtetet anëtare të OKB-së dhe BE-së. Një skenar i tillë pastaj do të rrezikonte mundësinë reale të Kosovës që të jetë anëtare me të drejta të plota në këto dy organizata.

8. Kosova nuk duhet të shoh procesin e normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe konsolidimin e plotë të shtetësisë së saj të ndarë nga anëtarësimi i saj, me të drejta të plota, në OKB. Prandaj, njohja e plotë dhe de jure nga Republika e Serbisë duhet të rezultoj në anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo e fundit duhet të jetë njëri nga treguesit kryesor për të testuar përkushtimin e palëve për të zgjidhur përfundimisht kontestimin mbi shtetësinë e Kosovës. Çdo gjë tjetër është e pamjaftueshme për të përmbyllur kontestimin aktual mbi Kosovën.

B) [ABROGIMI I REZOLUTËS 1244 SI REZULTAT I NJOHJES]
1. Njohja e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë duhet të përcillet domosdo nga abrogimi (shfuqizimi) i Rezolutës 1244 nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Çfarëdo rezultati që do të përfshinte vazhdimin e ekzistencës së Rezolutës 1244 do të ishte në shpërputhje të plotë me shtetësinë e Kosovës. Serbia do të duhej të pajtohej në mirëbesim me këtë rezultat, në mënyrë që njohja e shtetësisë së Kosovës nga Serbia të kishte kuptim të plotë juridik.

2. Vazhdimi i ekzistencës së Rezolutës 1244, qoftë edhe nëse Serbia do ta njihte Kosovën, do të vazhdonte ta mbante Kosovën të lidhur me kontestimin në OKB dhe praktikisht do mbetej barriera themelore e saj për anëtarësim aty.

3. Rezultati me pasojën e mos-abrogimit të Rezolutës 1244 do të mundësonte që praktika e heshtur e Serbisë për tërheqjen e njohjeve (apo lobimi kundër njohjeve të reja) nga shtetet e treta të mos mund të pengohej edhe në rast të një Marrëveshje Finale.

4. Shfuqizimi i Rezolutës 1244 do duhet bërë ose si proces i veçantë i vendimmarrjes së Garantuesëve të Marrëveshjes në kuadër të Këshillit të Sigurimit, apo do të duhet të jetë proces që adreson anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe shfuqizimin e Rezolutës 1244 njëkohësisht.

5. Prandaj, Marrëveshja Finale duhet të përfshijë provizione të caktuara të cilat detyrojnë Serbinë dhe palët tjera garantuese të kërkojnë shfuqizimin e Rezolutës 1244 si tregues themelor për të matur zbatimin e Marrëveshjes Finale.

C) [ZGJIDHJA GJYQËSORE E KONFLIKTEVE MBI INTERPRETIMIN E MARRËVESHJES FINALE PËRMES GJYKATËS NDËRKOMBËTARE TË DREJTËSISË]
1. Refuzimi i zbatimit të Marrëveshjes Finale apo pjesëve të saj, ose ikja prej qëllimeve të dakorduara, është një nga format më të shpeshta të sjelljes së shteteve që kanë kontestime esenciale në mes vete. Serbia është një shembull tipik i një shteti që nuk respekton detyrimet që ndërmerr në procese ndërkombëtare, siç ka treguar zbatimi i marrëveshjeve me Kosovën në pesë vitet e fundit.

2. Çfarëdo Marrëveshje me Serbinë duhet të përmbajë garancione të mjaftueshme dhe mekanizma të qartë që e bëjnë atë të zbatueshme në të gjitha pikat e saj dhe qëllimin e saj të realizueshëm. Në të kundërtën Kosova rrezikon të bëhet pjesë e një precedenti që e dëmton atë dhe procesin e konsolidimit të shtetësisë së saj. Prandaj, Platforma duhet të përfshijë detyrimin që Kosova të mos pranoj asnjë Marrëveshje që nuk përfshin instrumente të mjaftueshme të garancisë për zbatimin e saj.

3. Një formë e shprehjes së këtij garancioni është që Marrëveshja të përfshijë një klauzolë që i njeh GjND-së jurisdiksionin për të gjykuar dhe rrjedhimisht zgjidhur çdo mosmarrëveshje ndërmjet palëve, përfshirë zbatimin e detyrueshëm të vendimeve të saj, në rastet kur njëra palë i shmanget detyrimeve të dhëna në marrëveshje, apo qëllimit të saj.

4. Përcaktimi i një mekanizmi dhe dhënia e një jurisdiksioni të tillë GjND-së do të ishtë një formë e garantimit që Serbia të zbatojë në tërësi dhe pa mundësi të bishtnimi të detyrimeve të ndërmarra në Marrëveshje (sikur që është psh njohja de jure e shtetësisë së Kosovës).

5. Një mekanizëm i tillë duhet të vihet në jetë nëpërmjet një klauzole që i jep jurisdiksion të detyrueshem GjND-së, bazuar në Nenin 35, pika 2 të Statutit të saj (GjND-së) dhe Rezolutën 9 (1946) të Këshillit të Sigurimit, në mënyrën e tillë që Kosova (pavarësisht rezultatit të anëtarësimit të saj në OKB) të mund të paraqitej si palë (sipas Statutit) kundër Serbisë, në rastet kur kjo e fundit e bishton apo nuk e zbaton Marrëveshjen Finale.

6. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve përmes tribunaleve të arbitrazhit mund të jenë zgjidhje alternative, por besueshmëria dhe univerzaliteti i vendimeve të GjND-së mbeten të pazëvëndësueshme dhe të domosdoshme për tu përfshirë në rastin e Kosovës.

D) [NJË MARRËVESHJE SË PAKU TRI-PARTITE DHE E BAZUAR NË KONVENTËN E VJENËS PËR TË DREJTËN E TRAKTATEVE (1969)]
1. Raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë qenë të ndërmjetësuara përkatësisht të drejtuara nga BE. Një Marrëveshje Finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë garantues kryesor BE-në për dy arsye kryesore: e para, për shkakun që kushti më esencial për të cilin Serbisë i duhet një marrëveshje me Kosovën është rruga e saj anëtarësuese, ndër të tjera, e përcaktuar më Kapitullin 35 të saj, dhe rrugë e cila është parakusht për stabilitetin politik të saj, dhe, dy, për shkakun që Kosovës Marrëveshja Finale duhet t’ia heq kufizimet në raport me statusin e ‘perspektivës Evropiane’ sipas Nenit 49 të Traktaktit mbi BE-në.

2. Prandaj, një Marrëveshje Finale në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë së paku formë tripartite, me BE-në si palë kontraktuese në të gjithashtu. BE-ja do të duhej të bëhej palë e kësaj Marrëveshje në kuptimin e Nenit 218 të Traktatit për Funksionimin e BE-së (jo psh ne formën siç ajo merr pjesë në dialogun aktual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë), duke marrur përsipër detyrimin e hyrjes në një traktat ndërkombëtar si palë e plotë kontraktuese dhe që të ratifikoj atë sipas procedurave të brendshme. Një faktor i tillë do ta bënte Marrëveshjen gjithashtu pjesë të së drejtës së brendshme të BE-së, të detyrueshme edhe ndaj vendeve anëtare (sipas precedentit Haegeman). Ky përmbrendësim i Marrëveshjes prandaj ka rëndësi fundamentale për relacionin e çdo shteti të BE-së dhe vet BE-së me Kosovën në të ardhmen.

3. Obligimet e BE-së në raport me Marrëveshjen duhet, ndër të tjera, që të përfshijnë përcaktimin e statusit të saj si si depozitore e Marrëveshjes, që të merr përsipër interpretimin e saj, në fazë ta parë dhe në rastet kur cënohen të drejtat e njërës palë.

4. Marrëveshja, për shkak të përfshirjes së BE-së dhe ratifikimit të saj sipas procedurës së brendshme, duhet të garantonte që juridikisht Kosova do të gëzonte ‘perspektivën e plotë’ të integrimit sipas Nenit 49 të Traktatit për Funksionimin e BE-së. Kjo nënkupton që Marrëveshja finale duhet të qartësoj që Kosova ka perspektivë të plotë të anëtarësimit të saj në BE.

5. Në rast të cënimit të një statusi të tillë, Marrëveshja duhet të përcaktonte që Gjykata e Drejtësisë e BE-së të vishet me jurisdiksion për interpretimin e obligimeve që BE ka marrë në këtë proces dhe që garantimi i perspektivës së integrimit të Kosovës të mos mbetej i kushtëzuar nga dyshimi mbi shtetësinë e saj.

6. Pranimi që Kosova të jetë pjesë e një Marrëveshje thjeshtë dy-palëshe do të mund të ishte skenar i rrezikshëm, për shkakun që të drejtat e fituara në të dhe mungesa e palëve të treta (siç mund të jetë BE-ja) ta bëjnë marrëveshjen të kufizuar dhe efektet e saj të mbeteshin në margjina të obligimeve bilaterale.

7. Platforma e Kosovës duhet gjithashtu të përcaktojë që Marrëveshja Finale, në fazën e mëvonshme, do të bëhet pjesë esenciale e marrëveshjes së anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian dhe njëlloj pjesë e marrëveshjes së anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Kjo e fundit për shkakun që një Marrëveshje e tillë duhet të jetë pjesë e obligimeve të përhershme të Serbisë dhe Kosovës që ndërmarrin karshi vendeve anëtare të BE-së dhe vet BE-së dhe do jetë pjesë esenciale e të drejtës që qeveris me satusin e tyre brenda Bashkimit Evropian.
9. Platforma e Kosovës duhet gjithashtu të përcaktojë që Marrëveshja Finale duhet të ketë formën dhe përmbajten e një traktati ndërkombëtar sipas qëllimit dhe kërkesave të Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve, dhe duhet të bazohet në të. Si shembull, asnjë nga marrëveshjet aktuale të Kosovës dhe Serbisë nuk kanë një status të tillë, prandaj edhe janë të dëmshme për karakterin shtetëror të Republikës së Kosovës në terrenin ndërkombëtar.

11. Marrëveshja duhet të përmbajë qartësisht referenca tek palët nënshkruese (emrat e shteteve sipas referencës kushtetuese të tyre dhe BE-së). Kjo, ndër të tjera, nënkupton që përfaqësuesit e autorizuar të Kosovës, Serbisë dhe BE-së, si dhe garantuesëve tjerë (potencial) duhet të nënshkruajnë Marrëveshjen bazuar në pozitën zyrtare shtetërore, si dhe emrin e plotë të shtetit dhe/ose organizatës që përfaqësojnë. Praktikat e mëhershme, sikur që është psh Marrëveshja e 19 Prillit të vitit 2013, të inicializimit të marrëveshjes dhe mungesa e referencave në raport me emrin e plotë të palëve që përfaqësohen në të është një formë e cila përjashton cilësimin e plotë të palëve dhe rritë pashmangshëm dykuptimësinë në interpretimin e saj.

10. Qëllimi i Marrëveshjes Finale duhet të jetë i qartë, dhe palët duhet të pajtohen që Marrrëveshja qeveriset sipas së drejtës ndërkombëtare. Çfarëdo natyre e marrëveshjes në premisa të një gjuhe që lejon të ashtuquajturen ‘paqartësi konstruktive’ (constructive ambiguity), të tilla siç janë marrëveshjet aktuale me Serbinë, duhet të parandalohet në mënyrë kategorike. Një natyrë e tillë e Marrëveshjes do të mundësonte që Serbia në mënyrë të vazhdueshme ta bishtnonte qëllimin e detyrimeve të ndërmarra.

E) [NJË SOFA PËR PREZENCËN E KFOR NË KOSOVË]
1. Pjesë e një procesi përfundimtar të konsolidimit të shtetësisë së Kosovës duhet të jetë edhe transformimi i statusit juridik të KFOR-it në Kosovë. Kosova duhet të insistoj që KFOR të mbetet garantuesi final i sigurisë në Kosovë. Megjithatë një gjë e tillë duhet të bëhet në premisa të një marrëveshje të njohur si SOFA (Status of Forces Agreement) përmes së cilës Republika e Kosovës do t’i njihte të njëjtin mandat, pakufizim, KFOR-it edhe për një periudhe tjetër të pacaktuar. SOFA me Kosovën do të përmbyllte prezencën e KFOR-it bazuar në Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244. Kështu prezenca e KFOR-it do të ishte rezultat i ftesës së Kosovës si një entitet plotësisht sovran. Ndryshimi i mandatit të KFOR-it lidhet ngusht me shfuqizimin e Rezolutës 1244 sipas parimeve që janë elaboruar më lartë.

F) [RECIPROCITET NDAJ STATUSIT TË KOMUNITETEVE JO-SHUMICË]
1. Një Platformë për Marrëveshjën Finale duhet gjithashtu të përcaktojë natyrën e parimit të reciprocitetit që Kosova mëton të zbatoj përballë Serbisë. Në këtë linjë, një përcaktim i qartë dhe i domosdoshëm është refuzimi i themelimit të çfarëdo mekanizmi sikurse Asociacioni i Komunave Serbe qëllim i të cilit mund të jetë cënimi i funksionimit normal të Republikës së Kosovës.

2. Një refuzim i tillë duhet që të shprehet gjithashtu mbi çfarëdo kërkese që ka qëllim etnizimin e institucioneve të Kosovës, ose të strukturave të veçanta të Republikës sikurse janë policia në veriun e vendit apo sistemi i drejtësisë aty. Çfarëdo kërkese me karakter të tillë duhet të jetë e kundërpeshuar me kërkesën e Kosovës për një trajtim të njëjtë edhe për shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc.

G) [PARIMI I MOS-PËRZIERJES NË PUNËT E BRENDSHME NË PERIUDHËN POST-MARRËVESHJES FINALE]
1. Një Platformë për Marrëveshjën Finale duhet të përcaktojë që detyrim kryesor i Serbisë dhe Kosovës të mbetet mos-përzierja në punët e brendshme të njëra tjetrës. Skenari i ndikimit të vazhdueshëm të Serbisë në Federatën e Bosnjës, edhe pse e njeh atë si shtet sovran, duhet të parandalohet në mënyrë juridikisht të përcaktuar në Marrëveshjen Finale. Ndonëse një garancion i tillë juridik nuk do të ishte asnjëherë plotësisht i mjaftueshëm, ai megjithatë do të shënonte një hap me rëndësi për mbrojtjen e rendit të brendshëm shtetndërtues në Kosovë. Konturat e ‘mos-përzierjes në punët e brendshme’ janë qartazi të përcaktuara, ndër të tjera, psh në rastet e GjND-së ku përcaktohet që do të ishte shkelje e së drejtës zakonore ndërkombëtare nëse një shtet shfrytëzon forcën, intervenon në punët e brendshme, ose i cënon sovranitetin një shteti tjetër.

2. Prandaj, Kosova duhet të insistojë që Marrëveshja Finale të ketë referim tek Neni 2.4 i Kartës së OKB-së sa i përket marrëdhënieve dy-palëshe dhe mos-përzierjen në punët e brendshme të Kosovës, dhe tek Rezoluta 2625 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së rreth ‘Deklaratës mbi Parimet e së Drejtës Ndërkombëtare për Marrëdhëniet Miqësore dhe Bashkëpunimin Ndërmjet Shteteve Bazuar në Kartën e OKB-së’. Të dyja këto janë parime univerzale të së drejtës zakonore ndërkombëtare, andaj edhe duhet të përsëriten si element të domosdoshëm të Marrëveshjes Finale.

H) [ZBULIMI I FATIT TË PERSONAVE TË PAGJETUR DHE MOS-AMNISTIMI I HESHTUR I KRIMEVE TË LUFTËS]
1. Platforma duhet të përcaktoj që Marrëveshja Finale me Serbinë mundëson një perspektivë të qartë të ndjekjes së drejtësisë dhe gjetjen e kryerësve të krimeve kundër të drejtës ndërkombëtare humanitare gjatë luftës në Kosovë. Prandaj, Platforma duhet të përfshijë detyrimin që Kosova të mos pranoj asnjë marrëveshje që nuk i hap rrugë gjetjes së fatit të të pagjeturve, dhe zbulimin e të vërtetës për ta.

2. Gjithashtu, Platforma duhet të përcaktojë që Marrëveshja Finale nuk mund në asnjë mënyrë të zbatoj një pajtim të heshtur për mos ndjekjen e kryerësve të krimeve te luftës nga ana e autoriteteve të Kosovës apo që një gjë e tillë të merret përsipër nga Republika e Serbisë.

3. Një plan i qartë i drejtësisë tranzicionale dhe pajtimit nuk mund të arrihet nëse u pamundësohet mundësuar që institucionet e Kosovës që të ndjekin penalisht, bazuar në standardet e Koventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kryerësit e krimeve të luftës për aq kohë sa një gjë e tillë është e mundur. Kjo duhet të përfshijë edhe të gjithë ata personat që janë gjykuar nga gjykatat në Serbi dhe janë dënuar apo liruar nga akuzat.

4. Marrëveshja Finale duhet të përfshijë pajtimin e palëve që të ndajnë të gjitha informacionet, dokumentet, provat dhe zbatojnë kërkesat e institucioneve të Kosovës për arrestimin e personave që mund të jenë subjekt i ndjekes penale për krimet e kryera në Kosovë. Në lidhje me këtë të fundit, Marrëveshja duhet të eliminojë çdo nënkuptim që Serbia ka autoritetin për të hetuar dhe gjykuar krimet që kanë ndodhur në territorin e Kosovës që nga viti 1997- tutje. Ky përcaktim duhet të jetë i padiskutueshëm dhe është në linjë me njohjen e shtetësisë së Kosovës.

2) MINIMUMI I VIJAVE TË KUQE NË RAPORT ME MARRËVESHJEN FINALE:

[ASPEKTI I UNITETIT TERRITORIAL DHE RUAJTJA E FUNKSIONALITETIT KUSHTETUES TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS]
Territori i Republikës së Kosovës nuk mund të bëhet objekt i negocimit, të çfarëdolloji, në Dialogun Kosovë Serbi. Një ndalesë e tillë nuk është vetëm premisë kushtetuese por edhe një precedent i rrezikshëm për karakterin e Republikës së Kosovës dhe premisën mbi të cilën ajo ka fituar pavarësinë në vitin 2008, dhe mbi të cilën ka ndodhur intervenimi ndërkombëtar humanitar në vitin 1999. Gjithashtu, çfarëdo intervenimi në rendin e brendshëm institucional dhe kushtetues që do të rezultonte në rrezikimin e funksionimit multietnik të organeve publike në Kosovës do të duhej të ishte rezultat i papranueshëm, përfshirë mbrojtjen nga monoetnizimi i institucioneve mbi çfarëdo baze.

[EKIPI NEGOCIUES]
Platforma për Marrëveshjen Finale do të duhej të garantonte një rezultat që do të ishte i pranueshëm për shoqërinë, në mënyrë që të arrihet qëllimi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja shteteve. Në kontekstin e Kosovës, një rezultat i tillë është vështirë i arritshëm nëse paraprakisht nuk ka një pajtueshmëri ndërmjet partive kryesore të përfaqësuara në Kuvend. Vetëm një pajtueshëëri e tillë do të mund ta nxirrte procesin e Dialogut jashtë përplasjeve politike, dhe ta bënte atë një proces racional and objektivisht të vështrueshëm. Prandaj, një Platformë e tillë do të duhej që të përcaktonte dy nivele që do të flisnin në emër të Republikës së Kosovës: një, mekanizmin që e formëson pozicionin negociues të Kosovës në këtë Dialog, përkatësisht atë që përcakton se çfarë është kufiri i substancës që Kosova mund ta negociojë në këtë proces; dhe, dy, atë të përfaqësimit të atij pozicioni në takimet me palën tjetër, dhe të artikulimit të qëndrimit të Kosovës në tavolinën e Dialogut. Një Platformë serioze do të duhej që çështjen e formësimit të qëndrimit të mos e nxirrte jashtë pajtueshmërisë të një shumice të kualifikuar në Kuvendin e Kosovës. Vetëm Kuvendi i Republikës, në formë të një pajtueshmërie të kualifikuar, mund të përcaktoj çfarë është pozicioni negociator i Republikës së Kosovës në këtë proces të Dialogut. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gazeta zvicerane citon Kurtin: Kosova të përgatitet për hakmarrje nga Serbia, s’është koha për bashkim me Shqipërinë

Gazeta zvicerane citon Kurtin: Kosova të përgatitet për hakmarrje nga Serbia, s’është koha për bashkim me Shqipërinë

Lajme
KFOR-i nuk e pohon as nuk e mohon nëse policët e Kosovës hynë në Serbi

KFOR-i nuk e pohon as nuk e mohon nëse policët e Kosovës hynë në Serbi

Siguri
Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, po e voziste një fëmijë 11-vjeçar

Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, po e voziste një fëmijë 11-vjeçar

Kronika e Zezë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Hovenier: Sistemi i drejtësisë në Kosovë ende me dënime të buta

Hovenier: Sistemi i drejtësisë në Kosovë ende me dënime të buta

Drejtësi
Kalo në kategori