LAJMI I FUNDIT:

MOS MË THUAJ PËR ÇKA KE ARDHUR

MOS MË THUAJ PËR ÇKA KE ARDHUR

Poezi nga: Maria do Rosário Pedreira
Përktheu: Elona Caslli

Mos më thuaj për çka ke ardhur.
Lërmë ta gjej nga pluhuri i flokëve të tu,
se ç’erë të ka dërguar.

Është larg shtëpia jote?
Të jap timen.


Në sytë e tu lexoj lodhjen e ditës
që të ka mposhtur
dhe mbi fytyrën tënde
hijet më rrëfejnë vazhdën e udhëtimit.

Eja,
eja t’i qetosh mundimet e udhëtimit
mbi lakimet e trupit tim,
tek kjo vendmbërritje pa dhimbje dhe pa kujtesë.

Ke etje?
Afroje pasditen me një thelë portokalli.
Kafshoje pa më pyetur në gojën time.

Jo, mos më thuaj as se kush je
dhe as për çka ke ardhur.
E vendos vetë.