LAJMI I FUNDIT:

Së shpejti fillojnë edhe tri projekte në fushën e bujqësisë në Malishevë

Së shpejti fillojnë edhe tri projekte në fushën e bujqësisë në Malishevë

Është mbajtur mbledhja e rregullt e Këshillit të Drejtorëve, e cila është drejtuar nga Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ndërsa në këtë mbledhje u bë e ditur se krahas realizimit të projekteve tjera kapitale, shumë shpejt pritet të realizohen edhe tri projekte me rëndësi në fushën e bujqësisë.

Sipas drejtorit të Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Murat Hoxha, do të bëhen shpalljet dhe shumë shpejt do të realizohen edhe tri projekte në fushën e bujqësisë, projekti i parë për përkrahje me lopë qumështore, projekti i dytë për përkrahje për makina për mbjellje të misrit dhe projekti i tretë për përkrahje me makina për shpërndarjen e plehut kimik.

Në mbledhjen e sotme, edhe drejtorët e drejtorive tjera kanë raportuar për punët dhe aktivitetet gjatë javës së kaluar dhe për planifikimet për javën në vijim, ku sipas tyre janë duke vazhduar me realizimin e projekteve dhe planifikimeve për këtë vit.


Sipas drejtorit për buxhet, Valon Mazreku, është hartuar draft buxheti komunal për vitin e ardhshëm, i cili do të duhet të diskutohet në Kuvendin e Komunës gjatë kësaj jave.

Po ashtu, në këtë mbledhje, drejtoresha e sportit, Besartë Kryeziu-Ramaj, ka njoftuar se edhe Komuna e Malishevës është pjesë e “Javës evropiane të sportit” dhe do të jetë pjesëmarrëse në disa nga aktivitetet që do të zhvillohen gjatë kësaj jave. /Telegrafi/