LAJMI I FUNDIT:

Shtatori i fundit si mësuese, Hakie Krasniqi pensionohet pas 44 vite mësimdhënie (Video)

Shtatori i fundit si mësuese, Hakie Krasniqi pensionohet pas 44 vite mësimdhënie (Video)

Ky është shtatori i fundit si vit i ri shkollor për mësuesen Hakie Krasniqi, e cila në prill të vitit 2019 pensionohet.

Mësuesja Hakie thotë për RTV Dukagjinin se pas 44 vitesh pune si mësuese pensionimin e mirëpret, ngase duhet t’u lëshohet vendi mësimdhënësve të rinj.

Megjithatë shprehet se do t’i mungojnë nxënësit.


“Është shtatori i fundit për mua në këtë shkollë, koha po kalon dhe ne duhet t’u lëshojmë vendin gjeneratave të reja. Shpresoj ta presë pensionin siç jam edhe tash”, shprehet mësuesja Hakie.

Sipas mësueses Krasniqi, gjeneratat, nga e kaluara e deri tash, kanë ndryshuar shumë.

“Gjeneratat e mëhershme kanë qenë më të qeta. Ndoshta njohuri më herët nuk kanë pasur sa tash, sepse nuk kanë pasur mjete informimi sa tash. Gjeneratat e reja kanë internet, mjete të shumta informimi, mësimin parashkollor etj., por janë më të gjallë se ata të mëhershmit”, thotë mësuesja Hakie Krasniqi.

Bazuar në atë çfarë ka kaluar gjatë periudhës sa ka qenë mësuese, ajo ka një mesazh për mësimdhënësit dhe nxënësit që nisën sot një vit të ri shkollor.

“Uroj që ta ndjekin rrugën e dijes sa më shumë, por i këshilloj të qëndrojnë pak më larg internetit dhe mjeteve digjitale, sepse po e dëmtojnë edhe shikimin. Mësueset e reja i këshilloj ta mbajnë shoqërinë, mos të bien në atë nivel që për shkak të ndonjë prindi ose nxënësi ta prishin shoqërinë e tyre”, shtoi më tej mësuesja Hakie Krasniqi.

Sipas SBASHK-ut mesatarisht numri i mësimdhënësve që pensionohen në Kosovë brenda një viti shkollor nga sistemi parashkollor deri në atë universitar është 650./Telegrafi/