LAJMI I FUNDIT:

Avokatët e të akuzuarve për 27 prillin: Lënda është e motivuar politikisht

Avokatët e të akuzuarve për 27 prillin: Lënda është e motivuar politikisht

Me fjalët hyrëse të avokatëve të të akuzuarve për ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, sot në Gjykatën Penale ka vazhduar procesi gjyqësor.

Në bankën e të akuzuarve ishin ulur 33 persona, deputetë, ish-funksionarë, persona publik, policë, prej të cilëve 31 gjykohen për veprën “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”, ndërsa 2 persona për ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në seancën e sotme avokatët e të akuzuarve Ivan Cvetanovski dhe Dragan Peshev, thanë se Prokuroria për veprën e njëjtë deri tani kanë dhënë katër kualifikime. Avokatët thanë se Prokuroria ka pasur mjaft kohë për të kualifikuar veprën dhe punën e tyre e kanë bërë në mënyrë të gabuar.


Avokatët mbrojtës të të akuzuarve në fjalimet e tyre thonin se lënda për këto ngjarje është e motivuar politikisht dhe të akuzuarit duhet të lirohen.

Në seancën e sotme mes gjykatësit, prokurorëve, avokatëve mbrojtës dhe të akuzuarve ka pasur edhe tensione.

Për momentin në seancë ka pauzë, ndërsa për këtë proces gjyqësor Gjykata Penale gjithsej ka parashikuar 32 seanca vetëm për diskutimin kryesor./Telegrafi/