LAJMI I FUNDIT:

Sot vazhdon gjykimi për lëndën “Titanik”, Gruevski sërish në bankën e të akuzuarit

Sot vazhdon gjykimi për lëndën “Titanik”, Gruevski sërish në bankën e të akuzuarit

Sot dhe nesër në Gjykatën Penale në Shkup do të vazhdojë gjykimi për lëndën “Titanik” të Prokurorisë Speciale, ndërsa javën e fundit të gushtit do të vazhdojnë gjykimet edhe për lëndët “TNT” dhe “Fortesa dhe Shënjestra”.

Seanca e fundit gjyqësore për lëndën “Titanik” duhej të mbahej më 3 korrik, por ishte anuluar për shkak të mungesës së të akuzuarës Gordana Jankullovska, e cila siç njoftoi avokatja e saj Sanja Aleksiq, gjendet në spital pas lindjes, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Gjykatësi Osman Shabani atëherë tha se e akuzuara Gordana Jankullovska ka të drejtë 45 ditë të mos thirret në seanca gjyqësore, për shkak të së cilës e anuloi gjykimin për lëndën “Titanik” për më 16 gusht.


Në lëndën “Titanik” të akuzuar janë ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish-funksionarët Martin Protugjer, Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankullovska, Biljana Brishkoska Boshkovski, si dhe Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temelko, Leko Ristovski, Kiril Todorovski, Katerina Velovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashajkovska.

Ata dyshohen nga PSP për shoqërim kriminel, shkelje të së drejtës së votimit, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim i materialit zgjedhor dhe keqpërdorim i mjeteve për financim të fushatës zgjedhore në vitin 2012./Telegrafi/