LAJMI I FUNDIT:

Bekim Berisha dhe Bedri Shala në pulla postare

Bekim Berisha dhe Bedri Shala në pulla postare

Posta e Kosovës ka promovuar të enjten pullat postare për heronjtë Bekim Berisha – Abeja dhe Bedri Shala, në përvjetorin e 20-të të rënies së tyre në betejën e lavdishme në Junik.

Bekim Berisha dhe Bedri Shala ishin dy prej luftëtarëve dhe eprorëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me trimërinë dhe shkathtësinë e tyre ushtarake ata motivuan të rinj e të reja që t’u bashkohen radhëve të UÇK-së.

“Bekimi dhe Bedriu erdhën nga mërgimi për t’i dal zot atdheut në përballje me regjimin e egër serb. Pushka e tyre jehoi në beteja anekënd Kosovës deri në flijimin e tyre heroik në mbrojtje të Junikut, më 10 gusht 1998”, ka thënë kryeshefi ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha.


Ai theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe dëshmorët e saj janë themeli i lirisë dhe shtetit tonë.

“Bekim Berisha- Abeja mori pjesë edhe në luftën në Kroaci dhe në Bosnje duke u bërë pjesë e pashlyeshme e historisë së popullit kroat dhe boshnjak. Shtëpia e Bedriut dhe vëllezërve të tij ishte çerdhe e UÇK-së që nga fillimi i viteve të 90-ta”, ka thënë Hoxha.

Bekim Berisha – Abeja u lind më 15 qershor 1966 në Graboc të Pejës ndërsa Bedri Shala u lind në Gjergjicë të Drenasit më 2 qershor 1969.

Për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, dy gjeneralët e UÇK-së janë dekoruar nga presidenti i Kosovës me urdhrin “Hero i Kosovës”.

Në shenjë nderimi, kryeshefi Sejdi Hoxha u ka dorëzuar familjes Berisha, familjes Shala dhe kryetarit Lladrovci pullat postare të punuara në bronz si dhe pullat postare në kornizë.

Për emetimin e pullave postare, Postën e Kosovës e kanë falënderuar motra e Bekim Berishës, Zyrafetja dhe nipi i Bedri Shalës, Xheladini.
/Telegrafi/