LAJMI I FUNDIT:

OEK: Vendimi për pemë e perime ka çrregulluar tregun dhe çmimet

OEK: Vendimi për pemë e perime ka çrregulluar tregun dhe çmimet

Oda Ekonomike e Kosovës(OEK) bënë thirrje që të ketë politikbërje të matur në raport me efektet e politikave nacionale mbi bizneset vendore dhe konkurueshmërisë së tyre në raport me rajonin.

“Vendimi për aplikimin e masës mbrojtëse për pemë dhe perime jo vetëm që ka çrregulluar tregun vendor, por ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në çmimin final të produkteve për kompanitë përpunuese dhe tregtare, lënda e parë e së cilave bie në kategorinë e produkteve të mbrojtura”, thuhet në komunikatën e OEK-ut.

Gjithnjë sipas Odës Ekonomike të Kosovës, OEK është angazhuar që ta kuptojë efektin e këtij vendimi direkt nga kompanitë e industrisë përkatëse, ku është raportuar se rritja mesatare e çmimeve për produktet që ka prekur masa mbrojtëse është 21.6%, kjo për arsye se është rritur çmimi i lëndës së parë dhe kostoja e importit për kompanitë tregtare.


”Si rezultat i matshëm i këtij vendimi është vërejtur zvogëlim i marzhës së fitimit dhe sasisë së shitur. Për më shumë, shumica e bizneseve të industrisë kanë theksuar se nuk ka prodhim vendor të mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e konsumatorëve për pemë dhe perime dhe se vendimi nuk është marrë në kohë të përshtatshme”, thuhet më tej në komunikatë.

Përderisa nënkuptohet se qëllimi kryesor i këtij vendimi ishte mbështetja e prodhimit vendor, Oda Ekonomike e Kosovës dëshiron të potencojë se vendimi nuk ka marrë parasysh një segment madhor të industrive, asaj përpunuese dhe tregtare. Rrjedhimisht, çdo efekt pozitiv që është vërejtur tek kompanitë prodhuese është mbipeshuar nga efektet negative tek kompanitë përpunuese.

“Oda Ekonomike e Kosovës apelon që para se të mirën vendime të ngjashme në të ardhmen, të bëhen analiza dhe studime të detajuara lidhur me efektet zinxhirore që pasojnë, nga të cilat varet edhe suksesi i një politike të tillë. Për më tepër, sipas të dhënave të siguruara nga Dogana e Kosovës lidhur me importin e pemëve dhe perimeve për vitin 2018, del se vendimi në fjalë nuk gjen arsyeshmëri as nga ky aspekt, pasiqë nuk është raportuar rritje e importit. Statistikisht nuk ka pasur vëllim të shtuar të importit për pemët dhe perimet me çka edhe vihet në pikëpyetje nevoja për këtë masë mbrojtëse, së paku jo kaq të shpejtuar dhe pa konsultime paraprake me palët e interesit”, thuhet në reagimin e OEK.

Sa për ilustrim, si rezultat i masës mbrojtëse, importi për vitin 2018 për ditët gjatë së cilës është aplikuar masa, krahasuar me ditët e njëjta në vitin 2017 ka shënuar një rënie të lehtë prej €40,000. Megjithatë, Oda Ekonomike e Kosovës shpreh gatishmërinë për të qenë partner i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në kuptimin e nevojave reale të bizneseve vendore si dhe në bashkërendimin e aktiviteteve për përmbushjen e këtyre nevojave. /Telegrafi/