LAJMI I FUNDIT:

Profesori në Prizren mbylli 50 njësha

Profesori në Prizren mbylli 50 njësha

Në shkollat e Prizrenit ka profesor që i ka mbyllur 50 njësha në fund të vitit shkollor.

Drejtori i Arsimit, Skënder Susuri tha se ky vlerësim për nxënësit është i pafalshëm.

“Një profesor që i ka vendosur 50 nota të dobëta duhet ta pyes vetën se çka është duke punuar”, tha Susuri.


Sipas tij, Drejtoria e Arsimit ka pranuar 400 ankesa lidhur me vlerësimin e nxënësve. 300 prej tyre janë vetëm të SHMM “Luciano Motroni”.

Drejtoria e Arsimit në Prizren, ka marrë vendim që t’ia mundësojë rivlerësimin nxënësve që kanë mbyllur vitin shkollor me njësha në Shkollën e Mesme të Mjekësisë.

“Shkolla për të gjithë nxënësit që kanë parashtruar ankesë – kundërshtim ndaj vlerësimit të mësimdhënësit duhet të zhvillojë procedurën e vlerësimit nga komisioni vlerësues i shkollës”, thuhet në vendimin e DKA-së në Prizren, shkruan “PrizrenPress”.

Tre zyrtarë të Drejtorisë së Arsimit në Prizren, ndërkaq kanë konstatuar se gjatë vlerësimit të nxënësve mësimdhënësit nuk kanë respektuar dispozitat ligjore.

Drejtori Susuri tha ndërkaq se Skolla e Mjekësisë ka refuzuar të zbatojë vendimin e DKA-së.

“Lënda është bartuar në Inspektoriatin e Arsimit”, tregon Susuri.

Sipas tij, profesorët nuk mund të vënë autoritet në klasë me nota të dobëta.

“Kjo punë nuk bëhet më, sepse ka kaluar ajo kohë”,shprehet ai.

Sipas tij, nxënësve nuk do t’ju përmisohen notat, por vetëm do të rivlerësohen./PrizrenPress.com/