LAJMI I FUNDIT:

Tarifat e BE-së për mallrat amerikane hyjnë në fuqi

Tarifat e BE-së për mallrat amerikane hyjnë në fuqi

Tarifat shpaguese të Bashkimit Evropian ndaj mallrave amerikane hynë në fuqi sot, sulmi më i fundit ky ndaj politikës tregtare të Donald Trumpit.

Taksat prekin artikuj me vlerë të përgjithshme 2,8 miliardë euro, duke shënjestruar edhe produkte të rëndësishme për SHBA-në si uiski, motoçikletat dhe lëngu i portokallit.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker kujtoi se si ishte Amerika ajo që vendosi e para tarifat e reja që binin ndesh me logjikën dhe historinë. Pas Turqisë të enjten, edhe India vuri taksa mbi 29 produkte të importuara nga Shtetet e Bashkuara, përfshirë disa mallra bujqësore dhe të tjera prej alumini e çeliku.


Tarifat e saj hyjnë në fuqi nga 4 gushti dhe godasin sidomos eksportet e bajameve. India është blerësi më i madh i bajameve amerikane në botë, ndaj kjo lëvizje pritet të rëndojë ndjeshëm mbi fermerët amerikanë.

Donald Trump e bëri realitet kërcënimin e tij duke përfshirë nga 1 qershori edhe BE-në në tarifat e reja amerikane dhe lista e tij u zgjat veç të tjerash edhe me Kanadanë e Meksikën.

Por kundërpërgjigjet që po merr nga të gjitha anët bëjnë që të lindë pyetja: a e përballon dot vërtetë Amerika luftën tregtare me të gjithë?