LAJMI I FUNDIT:

LETRAT

LETRAT

Poezi nga: Dritëro Agolli

Kur dashuroheshim në kohën tonë,
Kur tretesha dhe digjesha për ty,
Nga njeri-tjetri letrat vinin vonë,
Kalonte dhe një muaj apo dy.

Po ndofta dashuria mbahej gjallë,
Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim
Me biçikletë a mushkë apo me kalë
Në vapë e shi, dëborë dhe thellim.


Kur dashuroheshim në kohën tonë
Me zor na vinin letrat fshat-qytet
Nuk kishim nëpër dhoma telefonë
Dhe në ëndërr s’kishte faks dhe internet.

Megjithatë më mirë që nuk kishte
As telefon as internet, as faks,
Se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste
Një dashuri të vjetër për një çast…