LAJMI I FUNDIT:

Thaçi: Fadil Vokrri i mbeti gjithmonë besnik Kosovës

Thaçi: Fadil Vokrri i mbeti gjithmonë besnik Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në ditën e varrimit të Fadil Vokrrit e ka kujtuar atë si njërin ndër personalitetet kyçe që ka kontribuar për Kosovën si brenda ashtu edhe jashtë saj.

Thaçi, përmes një postimi në Facebook, tha se Vokrri është më meritori për anëtarësimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA.

Postimi i plotë i Thaçit:


“Kam takuar shumë personalitete që bartnin epitetin e legjendës në fushën ku kishin kontribuar, në Kosovë dhe jashtë saj. Por, edhe ndër këta dallohej Fadil Vokrri. E njoha para tri dekadash, nga tribunat e fushave të futbollit ku impresionoheshim me mjeshtëritë e tij me topin, në vitet e tij të arta si futbollist. Çdo familje shqiptare jetonte me emrin e tij. Fëmijët jetonin me ëndrrën që të bëheshin “Fadila”. Bota vraponte ta merrte për ekipet e veta, jashtë Prishtinës. Por, edhe në momentet më të rënda, më të vështira, i mbeti besnik Kosovës. Golat e tij ishin gëzimi ynë sportiv dhe krenaria jonë kombëtare. Daljet e tij të rralla huq në fushë ishin dëshpërim për të gjithë ne. Fadili vazhdoi të shënonte për Kosovën edhe jashtë fushës. Shënimet e tij kryesore ishin anëtarësimi i Kosovës në FIFA dhe UEFA. Do t’i jemi përherë mirënjohës për çdo gjë që ka bërë për Kosovën”, ka shkruar Thaçi./Telegrafi/