LAJMI I FUNDIT:

Pas 16 qershorit, Gjykata Kushtetuese pa vendimmarrje

Pas 16 qershorit, Gjykata Kushtetuese pa vendimmarrje

Gjykata Kushtetuese do të mbetet pa fuqi vendimmarrëse më 16 qershor.  Kjo pasi që të dy gjyqtarëve aktualë të kësaj gjykate do t’iu skadojë mandati, ndërkohë që për të pasur kuorum Kushtetuesja duhet t’i ketë së paku shtatë gjyqtarë, nga nëntë sa ka gjithsej.

Kështu bëri të ditur për Telegrafin drejtori i zyrës për komunikim dhe informim në Gjykatën Kushtetuese, Veton Dula.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk do të ketë kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje pas largimit të gjyqtarëve Rodrigues dhe Botusharova-Doicheva, të cilëve iu skadon mandati më 16 qershor 2018.


Dula tha se këtë muaj iu skadon mandati edhe dy gjyqtarëve ndërkombëtarë nga Gjykata Kushtetuese.

“ Gjyqtarëve ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese; Almiro Rodrigues dhe Snezhana Botusharova-Doicheva, iu skadon mandati si gjyqtarë kushtetues, më 16 qershor 2018. Krahas kësaj, më 26 qershor 2018, do t’iu skadojë mandati edhe dy gjyqtarëve të tjerë kushtetues: zëvendëskryetarit Ivan Çukaloviq dhe gjyqtarit Altay Suroy.  Pas largimit të gjyqtarëve Rodrigues dhe Botusharova-Doicheva, më 16 qershor 2018, Gjykata Kushtetuese nuk do të ketë kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje”, ka thënë Dula.

Ndërkaq, njohësit e kësaj fushe në vend për Telegrafin kanë thënë se kjo legjislaturë dhe ekzekutivi  nuk e kanë kuptuar sa duhet rëndësinë e mandatit kushtetues dhe kuorumeve që duhet të kenë institucionet përkatëse, sidomos ato të pavarurat.

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu tha se Gjykata Kushtetuese është institucioni më i lartë i gjyqësisë kushtetuese dhe do duhej të ishte shembull se si respektohet mandati dhe funksionaliteti i një institucioni.

Sipas tij, pasojat janë të pariparueshme pasi do të ketë vonesa  në vendim marrje si dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

“Fatkeqësisht, jo vetëm kjo strukturë qeverisëse e kjo  legjislaturë dhe ekzekutivi, por vazhdimisht qeverisjet njëra pas tjetrës sikur nuk e kanë kuptuar sa duhet rëndësinë e mandatit kushtetues dhe kuorumeve që duhet të kenë institucionet përkatëse, veçanërisht ato që janë të pavarura. Gjykata kushtetuese është institucioni më i lartë i gjyqësisë kushtetuese dhe do duhej të ishte shembull se si respektohet mandati dhe funksionaliteti i një institucioni, pra do duhej të kishte brenda mandatit të kryente obligimet, respektivisht zgjedhjet e gjyqtarëve. Gjykata Kushtetuese, bën punë dhe veprime përgatitore, i marrin punët gjyqtarët raportues për raste të ndryshme mirëpo nuk mund të vendosin në mënyrë meritore për arsye se s’kanë mandat. Pasojat janë të pariparueshme pasi do të ketë vonesa, shkelje të të drejtave të njeriut, s’do të ketë trajtim të çështjeve të cilat dërgohen në Gjykatën Kushtetuese dhe humbje kolosale”, theksoi Baraliu.

Ndërsa, eksperti i çështjeve juridike Riza Smaka për Telegrafin potencoi se procesi i zgjedhjes së gjykatësve për Gjykatën Kushtetuese është duke shkuar zvarrë për interesa politike.

Smaka tha se Gjykata Kushtetuese e Kosovës deri në ditët e sotme më shumë ka qenë  në shërbim të politikave ditore se sa të Kushtetutës që e ka bazament për punë

“Ka defekt të mëdha në atë gjykatë. Interesat politike shtyhen në mes vete, kanë grindje për t’i dërguar njerëzit e vet në këtë gjykatë dhe prandaj shkon zvarrë zgjedhja e këtyre gjykatësve. Kur s’ka kuorum në këtë gjykatë asnjë vendim nuk mund të merret”, ka thënë ai.

Sipas profesorit Smaka, përgjegjësia rëndon tek kryetarja e kësaj gjykate Arta Rama, tek kryetari i Kuvendit Kadri Veseli si dhe tek deputetët e Kuvendit.

“Për këtë do duhej të jepet përgjegjësi. Fajet i ka edhe kryetarja e gjykatës ku gjashtë muaj përpara duhet ta iniciojë procedurën. Përgjegjësia bie tek kryetarja e gjykatës dhe kryetarit të kuvendit. Kanë faj serioz edhe deputetët, ata do duhej të dënoheshin jo me mëditje por dhe me votë të qytetarit”, tha ndër të tjera, Smaka.

Ndryshe, u bënë dy javë që në Kuvendin e Kosovës gjashtë kandidatët shqiptarë për gjyqtarë të kësaj gjykate nuk arritën t’i marrin votat e duhura.

Ndërsa, në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës që nga data 22 maj është hapur konkursi për kandidatët për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, i cili ka qëndruar i hapur deri më 06 qershor. /Telegrafi/