LAJMI I FUNDIT:

“Zgjerimi i shumicës parlamentare, me dy anë të medaljes”

“Zgjerimi i shumicës parlamentare, me dy anë të medaljes”

Pas paralajmërimeve për riformatim të qeverisë, menjëherë pas festës së 1 Majit, analisti politik Hasan Jashari thotë se pjesë e ekzekutivit mund të jenë dy krahët e Lëvizjes Besa edhe përkundër përçarjes që kanë. Jashari opinionin e tij e arsyeton me faktin që deputetët e Besës kanë përkrahur LSDM-në në të gjitha proceset madje kjo qeveri në shumë raste ka mbijetuar me votat e Besës në miratimin e ligjeve.

“Shumica parlamentare është tepër e hollë numerikisht dhe shpesh mbijeton me votat e Besës, të dy krahëve të Besës edhe andaj është e logjikshme që ato duhet të jenë pjesë përbërëse e qeverisë. Ata prej fillimit e kanë përkrahë Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë dhe kanë përkrahur proceset demokratike në Maqedoni dhe si rrjedhojë e kësaj pastaj kanë përkrahë edhe një numër të madh të ligjeve dhe një numër të madh të projekteve qeveritare”, tha Hasan Jashari, analist politik.

Ndërkohë analisti politik Xhelal Neziri thotë se edhe përkundër faktit qe kryeministri Zaev është shprehur i hapur qe ti përfshijë te gjitha partitë shqiptare ne qeveri, kjo sipas tij do te dëmtonte opozitarizmin shqiptare sepse do te dëmtonte zërin kritik te shqiptareve ne Kuvend.


“Negociatat për zgjerimin e koalicionit janë duke u zhvilluar paralelisht me gati të gjitha partitë politike shqiptare që janë në opozitë. Nëse Lëvizja BESA është e ndarë në dysh atëherë do të ishte absurde dhe jo një sinjal i mirë për votuesit që të dyja të bashkohen në pushtet. E njëjta gjë do të ndodhte me Aleancën që në raste se PDSH bëhet pjesë e qeverisë, e që Aleanca ka dalë nga PDSH, atëherë që bashkimi të ndodhte në pushtet. Njëra anë është bashkimi i nevojshëm zgjerimi i shumicës parlamentare e cila do të garantonte një stabilitet më të madh të parlamentit, mirëpo nga ana tjetër kemi të bëjmë me një dëm që mund ti shkaktohet politik bërjes në Maqedoni sidomos tek skena politike shqiptare në rast të inkorporimit të gjitha partive shqiptare në pushtet do të ishte një boshllëk i madh nuk do të kishim opozitë”, tha Xhelal Neziri, analist.

Riformatimi i qeverisë pritet të ndodhë pas festave të majit. Kryeministri Zaev ditë më pare deklaroi se bisedimet për rekonstruimin e paralajmëruar të ekzekutivit, janë në fund. Madje ai tha se për çdo ndryshim opinioni do të jetë i njoftuar në kohë dhe sipas tij gjithsesi që për gjithçka në fund sërish vendosin organet partiake.