LAJMI I FUNDIT:

Tre aktorët që mësuan vdekjen e të afërmve kur po luanin në skenë

Tre aktorët që mësuan vdekjen e të afërmve kur po luanin në skenë
Rikard Ljarja

Rikard Ljarja

Teatri si mënyrë e shprehjes së superstrukturës së një bashkësie, si shprehje e koncentruar e ngjarjeve… ka mijëra vjet që ekziston.

Në parahistori fiset mblidheshin mbas gjahut o para se të niseshin për gjah dhe vallëzonin duke shkërbyer skenën e gjahut.


Ky vallëzim ishte embrioni i teatrit.

Që në ato kohë teatri ka evoluar me faza deri sa ka ardhur në këtë kohë.

Këtu nuk është vendi për të shtjellue historikun e teatrit, le që edhe nuk e di mirë.

Po teatri i sotëm dihet si është!

Në shkollë programi ishte shumë i ngjeshur.

Në atë kohë studionim gjithë programin e degës gjuhë-letërsi, përveç gramatikës historike e ndonjë lënde tjetër shumë specifike.

Kryesore ishte lënda e mjeshtërisë së aktorit.

Gjatë orëve të gjata të mësimit, profesorët herë mbas here na përsëritnin: “Skena është e shenjtë”.

E kuptonim dhe s’e kuptonim domethënien e kësaj: “E SHENJTË”.

Në fund të fundit skena kishte një dysheme dërrase, një perde të rëndë (sipari) që e ndante nga salla, ca kuinta, dekorin që bëhej i ndryshëm për çdo shfaqje… po “shenjtërinë”…

Shkallë-shkallë po kuptonim se skena vërtet ishte vend i shenjt.

Të arrije të dilje në skenë ishte gjë shumë e madhe. Të arrije të ishe nën shikimin e gjashtëqind-shtatëqind palë syve e veshëve që të kundronin deri lëvizjen më të vogël… nuk po them për të tjerat…

Prandaj respekti për spektatorin që ka paguar, të shoh shfaqjen, të të duartrokas duhej të ishte i jashtëzakonshëm.

Në konceptin “Shenjtëri” hynte si i përveçëm dhe më i rëndësishmi spektatori.

Më në fund e kuptuam dhe e besuam.

Seriozisht.

Deri n’ekstrem.

Teatri është vërtetë i shenjtë në gjithë tërësinë e tij, me gjithë çfarë përmbledh godina: Salla, skena, prapaskena, kabinat, xhepat e dekoreve, ndriçimi… dramaturgjia, regjisorët, aktorët, punëtorët e skenës…

Spektatorët.

E gjithë godina dhe çfarë përfshihet brenda saj është në shërbim të spektatorit…

Këto radhë u nxitën nga një intervistë në Top Channel e aktorit Çun Lajçi.

Çuni fliste ngadalë, me një zë të ngrohtë, i qetë, për vajzën e tij që ishte larguar nga kjo jetë.

Thua të mos kishte dhembje!

Tronditja ishte e jashtëzakonshme.

E thellë!

Kishte ik vajza, loçka e zemrës.

Po Çuni vjen nga bjeshkët e Rugovës…

Në dorë rrotullonte tre libra. Ishin tri vëllime me poezi që i dedikoheshin vajzës që nuk jetonte më.

Bubulinës.

Bubulinës që iku.

Kush e përzuri.

A thua ne?! A thua çnjerëzimi i epokës që po kalojmë!?

Çuni lexoi vetëm tri poezi.

Ishin vërtet poezi.

Çuni është poet.

Poet në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Po Çuni është edhe interpretuesi më i mirë nder shqiptarë i veprës së Pader Gjergj Fishtës, Çuni është edhe lahutari mjeshtër që shoqëron veprën epike të poetit kombëtar.

S’po them se Çuni është dhe mjeshtri i skenës dhe ekranit se kjo dihet botërisht.

Po tjetërkund e kam fjalën.

… Në vitet ’70 Çuni ishte djalë i ri. Teatri i Prishtinës vuri në skenë “Hamletin”. Dhe Çun Lajçit iu besua kryeroli.

Erdhi edhe nata e premierës. Salla ishte mbushur plot. Duhet t’i merrni me mend emocionet e aktorëve e sidomos të Çunit Hamlet atë natë para se të fillonte shfaqja.

Pak përpara se të hapej sipari dikush i futi në dorë një telegram.

Çuni e hapi dhe lexoj: Ka vdekë nana.

A ka njeri që e përfytyron pështjellimin psikik e fizik të atij çasti? Çfarë ndodhi në atë sekondë brenda qenies së Çun Lajçit aktor, Çun Lajçit Hamlet dhe Çun Lajçit njeri, bir i një nane që nga ai çast nuk është më!

Mbasi u mbyll sipari e vazhdonin duartrokitjet, Çun Lajçi zu një qoshe dhe shpërtheu, u shkreh në vaj.

Regjisorja po e kërkonte në të gjitha qoshet e skenës.

Më në fund e gjeti.

Çfarë? Si? Kush të ka…

Duke belbëzue mes lotësh Çuni tha: Më ka vdek nana.

Pra, a ishte i shenjtë spektatori i asaj nate në teatrin e Prishtinës, në tempullin e fjalës?

Për Çun Lajçin po.

Dhe ai e respektoi deri në ekstrem, duke dalë mbi dhimbjen e shpirtit të tij.

Por nuk është i vetmi.

Pistol Soja, aktor i teatrit “Migjeni” kishte dy vajza.

Kishte premierën e komedisë “Shërbëtori i dy zotnive” kur i vdiq njëra nga vajzat në moshë të adoleshencës.

Dhe Pistoli e interpretoi rolin kryesor.

Vajza i vdiq dhe ai interpretoi në komedi.

Po kështu Prenk Lëkunda.

Teatri “Migjeni” ishte në turne në Korçë.

E lajmëruan pak para se të fillonte shfaqja: Djali është mbytur në Drí.

I propozuan të anulonin shfaqjen, t’i kërkonin të falur publikut, dhe të gjenin një makinë e ta nisnin urgjent për Shkodër.

Nuk pranoi, nuk pranoi në nderim të spektatorit.

Në nderim të “Shenjtorit” që priste brenda tempullit të shijonte fjalën.

Dhe shfaqja u bë.

Besoj se nuk janë të vetmit, po këta mbaj mend unë.

Po sot?

Sot a ka nga ata që besojnë në shenjtërinë e teatrit!?

… ????…

Apo janë bërë të gjithë “ateistë”.

Mos kishte diçka çnjerëzore në këtë akt!?

Apo ky akt ishte hyjnor sepse teatri është i shenjtë, vërtet i shenjtë!

S’di çfarë të them.

Gjykoni vetë.

Në trend Kultura

Më shumë
MOS U DORËZO KURRË

MOS U DORËZO KURRË

Poezi
Në nder të Sylvia Plathit

Në nder të Sylvia Plathit

Analiza
Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjala+
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kulture
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
Kalo në kategori