LAJMI I FUNDIT:

Fillojnë testet provuese për PISA 2018

Fillojnë testet provuese për PISA 2018

Medina Fejzullahu, nxënëse e klasës së nëntë në shkollën “Elena Gjika” në Prishtinë, është në mesin e rreth 6 mijë nxënësve kosovarë që do të marrin pjesë në testimin ndërkombëtar PISA.

Ajo këtë test po e pret me shumë entuziazëm duke e pasur në të njëjtën kohë krenari dhe privilegj që do ta prezantojë shtetin e saj në këtë test. 15 vjeçarja shpreson që ajo dhe bashkëmoshatarët e saj do ta rangojnë Kosovën në një vend më të mirë, sesa që ka qenë në vitin 2015.

Tash e disa ditë Medina së bashku me 27 nxënës të tjerë të shkollës kanë filluar të mbajnë orë shtesë për t’u përgatitur për test, ndërsa qysh nga kjo javë ata do t’i nënshtrohen një testi provues nga Ministria e Arsimit.


“Këto përgatitje po na ndihmojnë me të vërtetë mjaft shumë, pasi që po na e dhanë një lloj mendimi se me çfarë lloj pyetjesh do të kemi të bëjmë në atë test, duke e marrë parasysh që janë edhe digjitale. Gjithashtu kemi përgatitje edhe nga mësimdhënësit dhe nga fletat të cilat po na i dhanë ata. Mendoj se është një përparësi që është në mënyrë digjitale, pasi që këtë kohë që po jetojmë çdo gjë është duke u bërë në mënyrë digjitale. Shpresojmë me pritjet të cilat i kemi ne dhe me punën e vullnetshme të cilën po e bëjmë mendojmë se do të kemi një ngritje të Kosovës në këtë test”, thotë Fejzullahu.

Kësaj radhe testi PISA do të mbahet në mënyrë digjitale, por që kjo nuk po iu pengon nxënësve. Madje ata po e quajnë edhe përparësi duke qenë se janë duke jetuar në kohë të teknologjisë.

Meriton Bajrami nga shkolla “Elena Gjika” thotë se për të nuk përbën problem që testi do të mbahet në mënyrë digjitale.

“Po më ndihmojnë maksimalisht se jam i njoftuar jo si me shkuar në një botë tjetër, mos me njoft kurrgjë hiç. Po ma merr mendja pak a shumë çka ka me kanë dhe shpresoj që kemi me dal mirë, jo vetëm unë, por të gjithë që kemi me marrë pjesë. Jo absolutisht se jemi duke jetuar në një kohë krejt digjitale kështu që nuk ka me pas aspak problem për mua, besoj as për kërkon tjetër”, ka thënë Bajrami.

Testi ndërkombëtar i vlerësimit PISA që do të mbahen në fund të muajit prill dhe në fillim të muajit maj, ka mobilizuar si MASHt-in ashtu edhe drejtoritë komunale, drejtorët e shkollave, prindërit dhe vet nxënësit.

Shkolla fillore e mesme e ulët “Elena Gjika” ka filluar përgatitjet për këtë test. Nga kjo shkollë pjesëmarrës në këtë test do të jenë 27 nxënës të moshës 15 vjeçare.

Koordinatori i shkollës “Elena Gjika” për testin PISA, Zymer Cakolli ka thënë për KosovaPress, se nxënësit e kanë vullnetin për të mbajtur orë shtesë dhe për t’u përgatitur sa më mirë për këtë test.

“Takimet me drejtorin, me prindërit i kemi mbajtur që disa herë dhe kemi organizuar mësimin shtesë me nxënësit të cilët janë pjesëmarrës. Kemi bërë orarin e secilit arsimtar të lëndës plus arsimtarët të cilët nuk iu japin klasave të 9-ta, por janë arsimtar të lëndës. Shkolla është mobilizuar, jo vetëm shkolla jonë por e kam përshtypjen se kësaj herë për testin PISA krejt Kosova është mobilizuar, sepse nuk kemi dal aq mirë. Mund të them se fëmijët tanë, nxënësit tanë nuk kanë qenë në nivel, por ndoshta është ajo ana që motivimi jo i mirë, nuk i di shkaktarët, por megjithatë nuk kemi dal mirë. Kësaj here jemi mobilizuar, mrekulli nuk ka gjithsesi, por do të ketë lëvizje nga pozicioni jo i mirë në një pozicion pak më të mirë. Kemi menduar se nuk është problemi i fëmijëve, por më shumë problemi i sistemit sepse qasja e sistemit të arsimit në Kosovë është më shumë mekanik sesa logjik. Ndërsa, pyetjet që i kanë bërë ekspertët për PISA-në të gjitha pyetjet janë pyetje logjike”, tha ai.

Në bazë të përgatitjeve që si shkollë kanë bërë, Cakolli shprehet optimist se Kosova do të dal mirë nga ky testim ndërkombëtar.

Nga komuna e Prishtinës në testin PISA do të marrin pjesë 20 shkolla, 12 shkolla të mesme dhe tetë shkolla fillore.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj, shprehet optimist se përgatitjet që i kanë bërë dhe mobilizimi do të ndikojë pozitivisht në rezultat, edhe pse nuk pret rezultate spektakulare.

“Unë po besoj që Prishtina do të jetë mostra më e mirë, do të jetë rezultati më i mirë dhe pritet me qenë rezultati më i mirë. Ne kemi shkolla shumë të përgatitura, për shembull i kemi gjimnazet shumë të mira, me shkolla profesionale kemi probleme sepse niveli i fëmijëve sa i përket përgatitjeve është më i ulët, por besoj që kemi me ja dal që rezultatin me përmirësua.

Thash edhe një herë nuk presim ndonjë rezultat spektakular, por do të ngjitemi në tabelë me siguri disa vende. Nuk po dua të jap prognoza, por jam i lumtur që një organizatë ndërkombëtare si PISA e vlerëson realisht diturinë e fëmijëve tanë dhe e vlerëson realisht efikasitetin e arsimit tonë. Pa dyshim që PISA ka treguar se sistemi jonë arsimor nuk është efikas, por ne po bëjmë çdo gjë që me kornizën e re, me trajnimet e reja, me rekrutimin më të ri, më të mirë, më kualitativ, ta përmirësojmë rezultatin e nxënies dhe të mësim nxë nies. Besoj që ka me pas efekt, normalisht efektet janë afatgjate dhe përgatitjet sigurisht kanë me treguar se na duhet ende punë, por jemi duke punuar me përkushtim shumë të madh”, tha Salihaj.

MASHT-i ka formuar një komision për testin PISA, i cili do të mbajë dy teste provuese me nxënësit pjesëmarrës në këtë testim.

Këshilltari i ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyqi, Valmir Gashi, ka bërë të ditur se komisioni i formuar ka bërë një plan të punës, ku është paraparë që të mbahen edhe dy teste provuese për nxënësit që do të marrin pjesë në PISA.

“Pritet që prej javës së ardhshme të mbahen këto dhe në ndërkohë edhe komisioni do të vizitojë në varësi prej regjioneve pjesë do të vizitohen dhe do të shohin se si po zhvillohen dhe a po kanë rezultat. Gjithashtu, pjesa e dytë, testi i dytë do të ketë më tepër përmes kompjuterëve për faktin se PISA 2018 do të zhvillohet në mënyrë elektronike, përmes kompjuterëve.

Ministria sa i përket përgjegjësive të veta i ka ofruar kushtet e nevojshme, i ka pajisur aty ku duhet me kompjuter dhe ky problem tash nuk është që duhet të diskutohet. Pas kësaj vjen faza finale që shkojnë të dhënat e sakta shkollat që përzgjidhen, numri i nxënësve shumë shpejt do të dihet edhe emrat e nxënësve që do të përfshihen në këtë test që janë rreth 6 mijë nxënës”, ka thënë Gashi.

Në testin ndërkombëtar PISA do të marrin pjesë rreth 6 mijë nxënës dhe 212 shkolla, i cili pritet të mbahet në fund të prillit dhe në fillim të maj./KP/