LAJMI I FUNDIT:

Ministri ‘zgjat afatin’ e transformimit të FSK-së në Ushtri (Video)

Ministri ‘zgjat afatin’ e transformimit të FSK-së në Ushtri (Video)

Transformimi i Forcës se Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura pritet të ndodhë gjatë këtij viti ose në vitin e ardhshëm, ka deklaruar ministri i FSK-së, Rrustem Berisha.

Ministri këto komente i bëri kur u pyet nga KALLXO.com gjatë vizitës që i bëri sot kryetarit të Komunës së Deçanit.

“Ne jemi në rrugë të mirë që kjo të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese dhe mendoj se viti 2018/2019 do jetë vit i transformimit”, tha ministri Berisha për KALLXO.com.


Ministri i Forcës se Sigurisë tha se rruga më e mirë e transformimit në Forca të Armatosura është përmes ndryshimeve kushtetuese.

“Ne jemi duke punuar në transformimin përmes ndryshimeve kushtetuese, për shkak se edhe integrimi në NATO është shumë më i lehtë për ne. Mendoj që në këtë drejtim jemi në rrugë të mirë. E kemi në plan të Strategjisë se integrimit edhe komunitetin jo shumicë, jemi duke bërë përpjekje që të jetë pjesë e transformimit të FSK-së dhe në kuadër të saj e kemi plan të veprimit ku pothuajse shumica e aktiviteteve që janë të parapara me këtë plan janë në përfundim e sipër”, tha Berisha.

Pas takimit, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se ka marrë përgjigje pozitive nga ministri i FSK-së në mbështetje logjistike në disa organizime për promovimin e turizmit në bjeshkët e Deçanit.