LAJMI I FUNDIT:

KPMM-ja “kërcënon” Trepçën me padi

KPMM-ja “kërcënon” Trepçën me padi

Kryesuesi i Bordit të Komisionit për Miniera dhe Minerale (KPMM), Musa Shabani, ka kërcënuar se do ta çojë në Prokurori ndërmarrjen “Trepça” për shkak të borxhit prej 10 milionësh.

Drejtori i Trepçës Ahmet Tmava ka thënë se borxhi i grumbulluar ndaj KPMM-së është si pasojë e statusit ligjor të pazgjidhur të kësaj ndërmarrjeje.

Prej 23 milionë eurosh sa janë borxhet ndaj Komisionit për Miniera dhe Minerale (KPMM), plot 10 milionë janë borxhe të ndërmarrjes “Trepça”.


Kjo shumë është grumbulluar që nga paslufta në formë të taksës për shfrytëzim të resurseve minerare.

Kryesuesi i Bordit të KPMM-së, Musa Shabani, ka “kërcënuar” se do ta çojë në Prokurori këtë ndërmarrje për shkak të moskthimit të borxhit.

“Nuk na ka mbetur zgjidhje tjetër veç ta dërgojmë këtë lëndë në Prokurori”, ka thënë Shabani të mërkurën në një konferencë të përbashkët për medie me deputetë nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik i Kuvendit të Kosovës, shkruan “Zëri”.

Sipas Shabanit, këto borxhe janë grumbulluar që nga paslufta. KPMM-ja në bazë të ligjit aplikon rentë minerare, e cila është taksë për shfrytëzimin minerar nga subjektet e ndryshme ekonomike.

Por drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, ka thënë për gazetën “Zëri” se është i befasuar me ketë deklaratë të kryesuesit të bordit në KPMM.

Sipas tij, ky borxh është grumbulluar si pasojë e statusit ligjor të pazgjidhur të ndërmarrjes. “Trepça ende ka status të pazgjidhur ligjor. Deri më tani kemi qenë ndërmarrje shoqërore në kuadër të AKP-së. Tash presim të vihet në zbatim ligji i ri”, ka thënë Tmava, duke shtuar se kjo ka qenë arsyeja kryesore për pamundësinë që t’i kryejnë si ndërmarrje obligimet ndaj KPMM-së. /Telegrafi /