LAJMI I FUNDIT:

Intensifikohet bashkëpunimi i ujësjellësit ”Prishtina” me Komunën e Prishtinës

Intensifikohet bashkëpunimi i ujësjellësit ”Prishtina” me Komunën e Prishtinës

Kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina” Ilir Abdullahu me përfaqësues të tjerë u takuan me drejtorin e Infrastrukturës së Komunës së Prishtinës Gëzim Mehmeti, drejtorin e urbanizmit Ardian Olluri dhe përfaqësues të tjerë të këtij institucioni.

Gjatë këtij takimi që u mbajt në zyrat e ujësjellësit “Prishtina”, përveç që u diskutua për çështjet që kanë të bëjnë me të arriturat, sfidat dhe gjendjen e infrastrukturës së rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit, me theks të veçantë në Komunën e Prishtinës, kryeshefi ekzekutiv Ilir Abdullahu ritheksoi përkushtimin maksimal kundrejt bashkëpunimit të qëndrueshëm dhe bashkërendimit të investimeve, në funksion të ngritjes së efiçiencës dhe furnizimit sa më të mirë të qytetarëve të komunës së Prishtinës me ujë të pijshëm dhe të cilësisë së lartë.

Ai, njëkohësisht falënderoi udhëheqësit e dy drejtorive më të rëndësishme të komunës së Prishtinës për gatishmërinë e tyre personale dhe institucionale, për mbështetje të të gjitha projekteve që ndërlidhen me investimet në rrjetin e ujësjellësit, e në veçanti të rrjetit të kanalizimit për Komunën e Prishtinës.


Nga ana tjetër, drejtorët e dy drejtorive përkatëse, u zotuan që të mbështesin krijimin e grupeve të përbashkëta punuese (të iniciuara nga të dyja palët) me qëllim të analizimit të saktë të gjendjes në teren, harmonizimit të investimeve dhe përmirësimit të vazhdueshëm të nivelit të shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit ndaj të gjithë qytetarëve të Komunës së Prishtinës.

Pasi që takimi kishte në fokus edhe natyrën teknike të punimeve që bën në aktivitet e saj, nga ana e drejtorit teknik Sokol Xhafa, u potencua se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me Komuna, veçanërisht me këto dy drejtori, prej ku dalin edhe investimet më të mëdha.

Në këtë kontekst, Xhafa kërkoj që të bëhen harmonizime dhe përfshirje më e madhe e KRU “Prishtina” në planet dhe marrëveshjen zhvillimore të Komunës, me qëllim të përcjelljes me kapacitete të nevojshme nga burimi pastaj, infrastrukturore, sa i përket furnizimit me ujë për zonat e reja që po zhvillohen me shpejtësi.
Bashkëpunimi i ndërsjellë, që lidhet direkt me cilësinë e jetës së qytetarëve të kësaj komune, u fokusua në përmirësimin e kushteve themelore në ndërtesa kolektive ( problemet me vertikale të stërvjetuara të ujit të pijshëm dhe kanalizimit), sanimin e dëmtimeve në rrugët e Prishtinës, planin e veprimit dy palësh në periudhat e ardhshme duke u fokusuar më së shumti në sistemin e rrjetit të kanalizimit.

Si një diskutim i tillë, të dyja palët u pajtuan që në takimin e radhës, të arrihet dhe të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi për renditjen dhe përgjegjësinë e të gjitha çështjeve infrastrukturore, gjithnjë në shërbim të qytetarit. /Telegrafi/