LAJMI I FUNDIT:

Nga “Formula e Pagëzimit” tek formula e vonimit permanent

Nga “Formula e Pagëzimit” tek formula e vonimit permanent

Kur isha i ri, nuk e kuptoja pse gjuha shqipe kishte filluar të shkruhej aq vonë. Kishte një diskrepancë të madhe në mes të një historie të shkëlqyeshme të një populli, nga antikiteti e deri te Mesjeta e vonë dhe mungesës humnerore të një fjalie, të një fjale të shkruar të gjuhës së atij populli të “madh”. Asgjë nuk kishte, apo si ngushëllim: “asgjë nuk kishte mbetur”….

“Formula e Pagëzimit”, 1462, “Fjalori” i Arnold fon Harfit, 1497, dhe “Perikopeja e Ungjillit të Pashkëve”, fillimshekulli XVI, e tek pastaj “Meshari”, 1955… unë nuk e pranoja këtë. Këtë vonim, i thosha vetes. Së shpejti do të zbulohet diçka që dëshmon shkrimin më të vjetër të gjuhës së shqiptarëve, i jepja guxim shpirtit romantik e ëndërrimtar.

Si mbështetje, e merrja tregimin për murgun Brokard (në fiksion, në një shfaqje episodike ky murg na shfaqet në romanin “Ura me tri harqe” të Kadaresë), i cili kish shkruar që me 1332 se “sado që shqiptarët kanë një gjuhe fare të ndryshme nga gjuha latine, prapë ata kanë në përdorim edhe në tërë librat e tyre shkronjën latine”. Dhe, trimëroja veten: ja si arqipeshkvi i Tivarit, do të dalë edhe dikush tjetër, edhe dikush tjetër, edhe dokumentet tjera e madje libra tjerë që dëshmojnë lashtësinë e shkruar të gjuhës sonë. Dokumentimin, që do ta shërojë zemrat e plagosura nacionaliste.


Sepse, diçka s’shkonte: edhe histori të shkëlqyeshme e të bëma të mëdha të një populli heroik e me kulturë të lartë, edhe asnjë shkronjë e vetme – diçka s’shkonte këtu. Dhe, sikur ata që i lexoja e, më rrallë, që i dëgjoja të flisnin për këtë temë, përveç me shpresën që sapo e përmenda, fillova ta ngushëlloj veten edhe me fajësimin e të tjerëve. Besa, edhe me akuzimin.

Të tjerët i kanë zhdukur gjurmët e shqipes së shkruar. Dikush, apo të gjithë të tjerët, kanë faj. Dhe, ky ishte një ngushëllim derisa u pjeka dhe mësova pak histori.

Në të vërtetë, pashë se ajo histori që e dija, veç histori nuk ishte. Në të vërtetë, koha e sotme dhe një dukuri që bën “mu” dhe askush nuk e trajton, më goditi si një çekan gjigant në kokë.

– Askush nuk na ka faj. Askush nuk ka zhdukur asgjë. Asgjë nuk do të gjendet. Ne jemi ata që jemi. Nuk e duam fjalën e shkruar!

Kjo fjali mund të rrumbullakohet si një kovë me ujë të akullt që m’u hodh në kokën me zjarrmi romantike. Dhe, çfarë më zgjoi. Një fakt, thjesht, një fakt.

Sot, në vitin 2018, në epokën moderne, të teknologjisë, lirisë, pavarësisë së dy shteteve, prosperitetit dhe mundësisë së miliona shqiptarëve për të lënë një gjurmë në civilizim. Sot, pra, në epokën e internetit, duhet ta dimë se ende nuk kemi asgjë të hajrit në gjuhën shqipe. Dhe, kjo është kova me ujë të akullt që duhet të na hidhet sipër. Çdo shqiptari që di të lexojë e të shkruajë. Sadopak.

Sot, në botë, në shumicën e gjuhën botërore, ka gjithçka të shkruar të vendosur në internet, në rrjetë pra. Në gjuhët botërore, në internet është gjithçka çfarë mund të imagjinohet dhe çfarë nuk mund të imagjinohet. Thjesht, gjithçka e civilizimit botëror është në rrjetë. Shkenca, letërsia, filozofia, historia, arti, kultura, folklori, industria, ekonomia, argëtimi, sporti, thjesht gjithçka. Gjithçka. Pret aty, e disponueshme që të gjurmohet, të lexohet, të hulumtohet, të studiohet, të krahasohet, të përdoret për të mirën e njerëzimit.

Por jo, në gjuhën shqipe.

Jo.

Mos më besoni! Ndërpreni leximin e këtyre rreshtave. Merreni telefonin, tabletin, laptopin, kompjuterin apo çfarëdo mjeti me të cilin ke qasje në internet! Kërkoni diçka në gjuhën shqipe! Kërkoni diçka që i nevojitet njerëzimit, diçka me vlera sado të vogla shkencore, kulturore, artistike, akademike, letrare… provoni a po e gjeni në gjuhën shqipe! Provoni a mund të gjeni material të bollshëm për një punim të thjeshtë seminarik! Provoni diçka… çfarë të doni!

Shihni edhe enciklopeditë botërore, bibliotekat e thesaret e diturisë njerëzore, shihni në sa gjuhë të botës mund t’i shijoni e t’i përdorni.

Por, jo në shqip.

Përpiquni të bëni studime serioze, hulumtime gjithpërfshirëse, kërkime shkencore në gjuhën shqipe.

Provoni! Po ju pres!

Shihni, se në këtë kapërcyell epokash nuk jemi më mirë se sa kemi qenë në kohën e Formulës së Pagëzimit. Gutenbergu kishte zbuluar shtypshkronjën vetëm shtatë vjet para se Pal Ëngjëlli ta shkruante formulën qarkore. E sot?

Kush është fajtori? Kush po na pengon? Kush po e ndalon gjuhën e shkruar shqipe? Kush është fajtori kujdestar, pa të cilin nuk mund të jetojmë?

Po, ju zhgënjej. Nuk ka fajtor. Nuk ka fajtor kujdestar. Nuk do të ketë ndonjë dëshmi që do ta dokumentojë se gjuha shqipe ka qenë e shkruar më herët.

Askush nuk ka zhdukur asgjë. Askush nuk na ka ndaluar e as na ndalon. Askush nuk na ka urrejtur e as na urren.

Gjithçka është kuptuar. Gjithçka tani është e qartë. Krejt fajtorët kujdestarë janë zhdukur.

Kemi mbetur vetëm me një fajtor. Po e shikojmë atë fajtor në pasqyrë. Fajtorin e vetëm. Vetën tonë. Vetën!