LAJMI I FUNDIT:

Nafta i rikthehet fitimeve

Nafta i rikthehet fitimeve

Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm në sesionin e sotëm, pasi vendosmëria e OPEC-ut për të respektuar marrëveshjen për uljen e prodhimit, kompensoi lajmet se prodhimi i naftës argjilore në SHBA preku nivelin e 10 milionë fuçive në ditë, për herë të parë në pothuajse gjysmë shekulli.

Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 65.3 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 69.5 dollarë për fuçi, duke rikuperuar një pjesë të mirë të humbjeve të sesioneve të kaluara.

Gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar, prodhimi i naftës në SHBA tejkaloi 10 milionë fuçitë në ditë, për herë të parë që nga viti 1970, deklaroi Administrata për Informimin mbi Energjinë. Në anën tjetër, edhe prodhimi nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës u rrit lehtë gjatë muajit janar, duke u tërhequr nga niveli më i ulët në tetë muajt e fundit. Rritja e prodhimit nga Nigeria dhe Arabia Saudite ka kompensuar rënien e prodhimit në Venezuelë.


Sipas një studimi të Reuters, shkruan Scan vendet që janë pjesë e marrëveshjes e kanë respektuar në 138 për qind angazhimin për uljen e prodhimit, që do të thotë se prodhimi është ulur akoma më shumë. Kjo ka bërë që çmimet të rriten gjatë sesionit të sotëm. Referuar të dhënave të tjera, rezervat e naftës bruto në SHBA u rritën me 6.8 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, pas 10 javësh me radhë në rënie. Analistët parashikonin një rënie me 126 mijë fuçi. Në anën tjetër, rezervat e benzinës shënuan një rënie surprizë prej 1.8 milionë fuçi. /Telegrafi/