LAJMI I FUNDIT:

Mehmeti: Normat e interesit në kredi do të vazhdojnë të ulen

Mehmeti: Normat e interesit në kredi do të vazhdojnë të ulen

Ushtruesi i detyrës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se normat e interesit në kredi në vendin tonë do të vazhdojnë të ulen edhe më tutje. Sipas tij, norma efektive e interesit në nëntor të vitit 2017 ishte 6,7% e që është e krahasueshme me ato të shteteve të rajonit

Ushtruesi i detyrës së guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) Fehmi Mehmeti në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se gjatë vitit që lamë pas bankat komerciale që operojnë në Kosovë kanë shënuar një rekord fitimi prej 88.8 milionë eurosh apo 13.6 milionë euro më shumë se gjatë vitit që lamë pas.

Ai po ashtu tregon se normat e interesit në kredi do të bien edhe më tutje.


Mehmeti po ashtu konfirmon se një bankë gjermane ka shprehur interesimin për t’u licencuar në vendin tonë.

Zëri: Gjatë vitit 2018 bankat të cilat operojnë në Kosovë kanë shënuar rekord të përfitimeve, çka ka ndikuar?

Mehmeti: Bankat gjatë vitit 2017 janë karakterizuar me nivel të fitimit neto prej 88.8 milionë eurosh, që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak fitimet janë më të larta për 13.6 milionë euro ose 18,7%. Rritja e fitimit neto ishte kryesisht si rezultat i provizioneve më të ulëta për humbjet nga kreditë, kthimeve të kredive të humbura, rritjes së përshpejtuar të nivelit të përgjithshëm të kredive, si dhe cilësisë shumë të mirë të kredive të reja. Kur jemi te rritja e kredive, në dhjetor të 2017-s u shënua rritje e përshpejtuar e kredive vjetore prej 11,6 për qind, krahasuar me atë prej rreth 10.,0 për qind në vitin e kaluar.

Zëri: Fitimi po rritet në vazhdimësi e në anën tjetër kreditë e këqija po bien, si e shpengoni këtë ju?

Mehmeti: Cilësia e kredive është e ndërlidhur me performancën financiare të bankave. Rritja e kredive të këqija ndikon në zvogëlimin e fitimeve të bankave dhe anasjelltas. Në rastin konkret, njëri prej faktorëve ndikues në performacën e lartë financiare të bankave në vitin 2017 ka qenë zvogëlimi i kredive të këqija, i cili ka ardhur edhe si rezultat i rritjes së kredive, pasi që siç dihet indikatori i kredive joperformuese matet kur merret parasysh niveli i kredive joperformuese (të këqija) në raport me gjithsej kreditë.

Zëri: A ka krijuar konkurrencë futja e bankave të reja në treg dhe a ka hapësirë për futjen e bankave të reja në tregun bankar?

Mehmeti: Pa dyshim që shtimi i numrit të bankave ka ndikuar në rritjen e konkurrencës në sektorin bankar në Kosovë. Deri më tani kemi 10 banka komerciale ku shumica janë me kapital të jashtëm. Rritja e konkurrencës në këtë drejtim mund të matet me zvogëlimin e theksuar të normës së interesit në kredi, ku tanimë flasim për normën e interesit në kredi. Norma mesatare efektive e interesit për kreditë e reja ishte 6,7% (nëntor 2017), që paraqet rënie në krahasim me normën mesatare efektive prej 7,3% (nëntor 2016). Zvogëlim të normës së interesit ka pothuajse në të gjitha komponentët e saj. Me këtë rast duhet cekur që kjo normë paraqet nivelin mesatar, që do të thotë se në raste të caktuara normat e interesit për produkte të caktuara janë më të ulëta se ky nivel. Përveç uljes së normës së interesit, faktor tjetër që ka ndikuar në rritjen e konkurrencës është shtimi i numrit të produkteve bankare, avancimet lidhur me mundësitë e operimit përmes e-bankingut, etj.

Zëri: A ka kërkesa për të licencuar banka të reja në vendin tonë?

Mehmeti: BQK-ja ka pranuar shprehje interesimi për licencim bankar nga një palë gjermane, mirëpo nuk ka pranuar kërkesë konkrete apo aplikacion për licencim bankar gjatë vitit 2017.

Zëri: Nga fundi i vitit që lamë pas ka një ngritje enorme të tarifave për shërbime bankare, sidomos kur klienti i një banke bën pagesë në bankë tjetër. Mendoni se me këtë bankat po e ruajnë tregun?

Mehmeti: Ne si rregullator dhe mbikëqyrës të sistemit financiar e bankar veprojmë konform mandatit që kemi e që është stabiliteti i sektorit financiar. Në këtë kontekst gjatë vitit të kaluar ne kemi adresuar te bankat çështjen e të hyrave jokamatore, mirëpo që në rastet kur klienti i një banke përdor logjistikën e bankës tjetër ka kosto që asocohen lidhur me këtë aktivitet, sikurse që ndodh edhe në vendet tjera. Marrë në përgjithësi, kryerja e transaksioneve te banka që nuk jemi klientë ndërlidhet edhe me koston kohore e financiare të njohjes së klientit para kryerjes së transaksionit përkatës.

Zëri: Aktualisht si qëndron Kosova me norma të interesit krahasuar me vendet e rajonit, a ka hapësirë të mëtutjeshme për t’i ulur ato?

Mehmeti: Siç është cekur më lart, norma efektive e interesit në nëntor të 2017-s ishte 6,7%, përgjithësisht e krahasueshme me ato të rajonit. Duke marrë parasysh trendin e përgjithshëm të normave të interesit ato kanë shënuan zvogëlim substancial që nga periudha 2013-2014 kur ato ishin dyshifrore. Vlerësojmë se normat e interesit do të vazhdojnë të ulen, por që kjo varet nga norma e zhvillimit ekonomik, si dhe perceptimi i rrezikut nga ana e bankave. Që të mos përsërisim atë që është cekur më lart, sektori bankar i Kosovës vazhdon të karakterizohet me stabilitet dhe likuiditet të lartë e ku edhe projeksionet për vitin 2018 tregojnë një rritje të theksuar të kredive, parakusht në zvogëlimin e mëtutjeshëm të normës së interesit në kredi.

Zëri: Pse ka rënë aq shpejt dhe aq shumë norma e interesit në depozita? Gjatë këtij viti a pritet të ketë ngritje apo rënie të mëtutjeshme?

Mehmeti: Sektori bankar në Kosovë është i ndërlidhur me sektorët bankarë të vendeve të tjera gjë që ndikon në rrjedhat financiare edhe në Kosovë. Për më shumë, normat e interesit në depozita kanë përcjellë trendin e përgjithshëm të normave të interesit në tregjet ndërkombëtare, por që me këtë rast duhet cekur që në asnjë rast nuk ka pasur normë negative të interesit, fenomen ky që aplikohet në vendet e zhvilluara ose në vendet ku bankat plasojnë mjetet e tyre. Marrë në përgjithësi, ecuria e rritjes së depozitave në bazë vjetore mund të vlerësohet e kënaqshme, pavarësisht normave të ulëta të interesit që bankat ofrojnë për depozita. Norma mesatare e interesit në depozitat e reja në muajin nëntor të 2017-s evidentohet 1,03%, e cila është përafërsisht e ngjashme me atë të periudhës së njëjtë të vitit të kaluar prej 1,02%.

Zëri: Gjatë vitit që lamë pas edhe institucionet mikrofinanciare kanë operuar me fitim të konsiderueshëm, derisa gjatë viteve të kaluara ato gjithmonë kanë mbyllur vitin me humbje. Pse?

Mehmeti: Përmirësimi i cilësisë së kredive te këto institucione është një ndër indikatorët kryesorë të performancës pozitive në këtë kontekst. Për më shumë, operimi me rezultat financiar pozitiv ka të bëjë edhe me vitin 2016 përveç vitit 2017. Në këtë ka ndikuar edhe zvogëlimi i nivelit të kredive të këqija, ku tashmë flasim për norma nën 3% të kredive të këqija.

Zëri: Industria e sigurimeve po ashtu e mbylli vitin e fundit me fitim, derisa viteve të kaluara ka mbyllur me humbje. Çka ndikoi që nga humbja të kalojë në fitim?

Mehmeti: Gjatë vitit 2017, respektivisht sipas të dhënave të fundit të datës 30 shtator 2017, tregu i sigurimeve performoi me rezultat financiar pozitiv në shumë prej rreth 3.2 milionë eurosh, e cila krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar rezulton me përmirësim të theksuar. Nga rezultati pozitiv prej 3.2 milionë eurosh, rreth 270 mijë euro janë fitime të realizuara nga kompanitë e sigurimit jetë, ndërsa rreth 2.9 milionë euro janë fitimet e realizuara nga kompanitë e sigurimit jojetë. Performanca e mirë e sektorit të sigurimeve është si rezultat i angazhimeve të shtuara të BQK-së, në plotësimet e kornizës ligjore sa i përket menaxhimit më adekuat të shpenzimeve të siguruesve, mbikëqyrjes së përafërt të sektorit nga ana e BQK-së, pagesës së dëmeve, si dhe menaxhimit dhe mbikëqyrjes më të mirë në përgjithësi nga ana e menaxhmentit dhe Bordit të Drejtorëve të Siguruesve.

Zëri: Rritja ekonomike në Kosovë ka mbetur relativisht e lartë në raport me vendet e rajonit. A kanë ndikuar direkt remitancat nga diaspora?

Mehmeti: Në tre vjetët e fundit rritja ekonomike në Kosovë ka qenë më e lartë krahasuar me vendet e rajonit. Kjo rritje më e lartë, ndër të tjera i atribuohet edhe bazës më të ulët të ekonomisë kosovare krahasuar me vendet tjera. Duke pasur parasysh madhësinë e diasporës kosovare, remitancat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike. Megjithatë, përveç remitancave, rritja e aktivitetit ekonomik në vitet e fundit në Kosovë është mbështetur edhe nga kreditë e sektorit bankar, investimet kapitale të Qeverisë (veçanërisht investimet në projekte infrastrukturore), etj.

Zëri: Sa duhet të jetë rritja ekonomike në vend për të hapur vende të reja të punës?

Mehmeti: Në vitin 2017 me gjithë rritjen e shkallës së punësimit, shkalla e papunësisë është karakterizuar me rritje, kryesisht si rezultat i rritjes më të lartë të shkallës së pjesëmarrjes në fuqinë punëtore. Krijimi i vazhdueshëm i vendeve të reja të punës, veçanërisht për grupmoshat e reja (15–24 vjeç) përbën një ndër sfidat kryesore të Kosovës, sidomos kur kemi parasysh edhe pritjet për rritje të mëtejme të popullsisë në moshë pune si rezultat i popullsisë së re. Andaj, dinamika e krijimit të vendeve të reja të punës përmes identifikimit të karakteristikave dhe hendeqeve kryesore të tregut të punës në Kosovë mbetet një ndër sfidat më kritike të ekonomisë së vendit.

Zëri: Si mund të nxitet sektori privat për t’i rritur eksportet në vendet e rajonit, por edhe më gjerë?

Mehmeti: Rritja e konkurrueshmërisë së Kosovës si në rajon, ashtu edhe në vendet e EU-së duhet të shoqërohet me reforma të mëtejme strukturore, që konsistojnë me orientim të investimeve të sektorit privat drejt industrive eksportuese që janë strategjikisht më të rëndësishme si industritë prodhuese, përpunuese, shërbyese, etj.

Zëri: A rrezikohet stabiliteti financiar i vendit nga borxhi publik aktualisht?

Mehmeti: Kosova ka pozitë të favorshme sa i përket borxhit publik, i cili njëherësh është dukshëm më i ulët se në vendet e rajonit dhe nën nivelin maksimal të përcaktuar me rregullën fiskale (Raporti i borxhit publik ndaj BPV-së mund të arrijë deri në 40%). Borxhi publik i Kosovës në TM3 2017 ishte 965.36 milionë euro, ndërsa në raport me BPV-në e vendit është 15,75%. Borxhi i brendshëm ka shënuar rritje ndër vite, sidomos me zhvillimin e tregut të letrave me vlerë që ka shënuar zhvillim të rëndësishëm për sektorin financiar në vend dhe më gjerë. Në TM3 2017 borxhi i brendshëm si pjesëmarrje e BPV-së ishte 8,41%. Bankat dhe sektori pensional janë investuesit kryesorë në letrat me vlerë të Qeverisë. Niveli i ulët aktual i borxhit, si dhe performanca e mirë e pagesës ndikon që këto investime të konsiderohen si të sigurta, duke mos rrezikuar stabilitetin financiar të vendit as direkt nga këto ekspozime dhe as në formë indirekte nga efekti i tërthorët në ekonomi.

Zëri: Si qëndron Kosova në raport me vendet e rajonit?

Mehmeti: Sa i përket stabilitetit financiar, Kosova vazhdimisht po tregon pozitë të favorshme të kapitalizimit të sektorit, nivel të lartë të likuiditetit dhe profitabilitetit. Cilësia e portofolit kreditor në Kosovë është më e favorshmja, përderisa shumë vende të rajonit po përballen me norma të larta të kredive joperformuese. Profitabiliteti i sektorit gjithashtu është më i larti, përderisa normat e interesit kanë gravituar rreth mesatares së vendeve të rajonit./Telegrafi/