LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet që kontrolli i cilësisë së naftës të bëhet në kufi

Kërkohet që kontrolli i cilësisë së naftës të bëhet në kufi

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, ka kërkuar që kontrolli i cilësisë të naftës të jetë në kufi dhe që ligji i naftës të kalojë sipas kërkesave të kësaj shoqate.

Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani, tha se ky sektor po përballet me probleme të shumta, e një prej tyre sipas tij është kyçja në rrugë.

“Kontrolli i cilësisë kemi kërkuar të jetë në kufi, ne kemi kërkuar që trupat inspektues të hiqen. Ligji i naftës duhet të kaloj sipas kërkesës së shoqatës, kriteret për pika karburanti për ndërtim na nuk jemi si shoqatë e naftëtarëve gjithmonë kemi thënë se nuk jemi kundër ndërtimit të pikave të reja të karburantit. Por, duhet të ketë kriter, rast konkret nëpër komuna të jetë 10 kilometra gjatësi, rrugë magjistrale 15, në autostradë 25-30 qysh është standard i Bashkimit evropian. Heqja e akcizës për propan dhe butan, pranimi i humbjeve dhe licencat sa më parë duhet të jenë 10 vjeçare, pas 10 viteve të jenë të përhershme”, tha ai.


Qeveria Haradinaj i ka dhënë prioritet fushës së energjisë dhe derivateve të naftës sipas zëvendësministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Faton Thaçi.
Thaçi bëri të ditur prioritetet e MTI-së sa i përket kësaj fushe dhe tha se si ministri qasjen e tyre themelore e kanë orientuar në ngritjen e kontrollit të cilësisë tek të gjitha produktet që përdoren nga qytetarët e Kosovës.

“MTI prioritet të lartë ka edhe efikasitetin e kontrollit të cilësisë së naftës, por pa i kufizuar edhe produktet e tjera të derivateve siç janë vajrat, gazrat dhe benzina dhe derivatet e tjera. MTI prioritet të lartë e ka bashkëpunimin dhe mbrojtjen e barazisë në tregun e naftës dhe mbrojtjen e konsumatorëve”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se Shoqata e Naftëtarëve është kontribuuesja më e madhe në buxhetin e Kosovës.

Ai tha se kjo shoqatë e ka vendin edhe në Këshillin kombëtar për zhvillim ekonomik.

“Sektori privat e mbështet harmonizimin e ligjeve të standardeve evropiane, por kërkon ligje të zbatuara, ligje që do të jenë në funksion të Kosovës, ligje që do të jenë në funksion të ambientalizmit, ligje që do të jenë në funksion të qëndrueshmërisë sociale. Definitivisht, një shoqatë e cila besoj e ka vendin e vet edhe në Këshillin Kombëtar për zhvillim ekonomik”, tha Gërxhaliu. /Telegrafi/