LAJMI I FUNDIT:

IPK: Një zyrtar policor dhe një qytetar, të dyshuar në rastin e sulmit ndaj drejtorit të PTK-së

IPK: Një zyrtar policor dhe një qytetar, të dyshuar në rastin e sulmit ndaj drejtorit të PTK-së
Foto: Ilustrim

Inspektorati Policor i Kosovës është deklaruar në lidhje me rrahjen e sotme të ndodhur rreth orës 13:00 në rrugën “Enver Zymberi” në Prishtinë ku të përfshirë kanë qenë drejtori i PTK-së, Agron Mustafa, një polic i njohur me nofkën “Tarkani”, si dhe shefi i Krimeve Ekonomike dhe Anti-korrupsion në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti.

“Nga Prokurori kompetent rasti është cilësuar si vepër penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe deri tani dy persona janë cilësuar si persona të dyshuar (njëri nga ta zyrtar policor A.B. dhe tjetri qytetar)”, thotë IPK në komunikatën për media.

IPK shprehet se në informatën e pranuar nga Policia e Kosovës, është mësuar se të përfshirë në këtë rrahje kanë qenë disa persona prej të cilëve dy kanë pësuar lëndime trupore. Lidhur me rastin në fjalë personat e përfshirë në këtë rast kanë shkuar në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë.


“Pasi që dyshohej që në këtë rast ka pasur të përfshirë edhe zyrtarë policorë, bazuar në kompetencat ligjore dhe autorizimet e Inspektoratit Policor të Kosovës janë njoftuar edhe hetuesit e IPK-së. Të njëjtit (hetuesit e IPK-së) kanë dalë në vend ngjarje dhe është kontaktuar edhe prokurori kujdestar i cili edhe ka autorizuar ndërmarrjen e një sërë veprimesh hetimore drejt ndriçimit të këtij rasti duke përfshirë intervistimin e personave të dyshuar, disa dëshmitarëve, sigurimin e disa video-incizimeve që mund të kenë pamje të incidentit etj”, thotë IPK në këtë komunikatë.

Me vendim të prokurorit kompetent, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.