LAJMI I FUNDIT:

Babagjyshi i Krishtlindjeve fillon shpërndarjen e dhuratave!

Babagjyshi i Krishtlindjeve fillon shpërndarjen e dhuratave!

Babagjyshi i Krishtlindjeve filloi sot nga Azia dhe Oqeania turneun botëror për shpërndarjen e dhuratave, tregon faqja e internetit e Komandës Ushtarake e ngarkuar për sigurinë ajrore të SHBA-së dhe Kanadasë (Norad), që gjurmon lëvizjet e tij çdo vit.

“Nisur nga baza e tij e Polit të Veriut, Santa Klausi fluturoi në Japoni në orën 14:03 GMT pasi kishte kaluar në Australi. Në disa orë, tërhequr nga nëntë drerë të dukshëm në 3D në internet Santa Klausi ka shpërdarë tashmë një miliardë dhurata”, sipas matësit të Norad.

Komanda për Mbrojtjen aerohapësinore e Amerikës së Veriut ka vendosur që prej vitit 1955 një linjë telefonike të hapur për fëmijët. Më pas, ajo ka krijuar në vitet e mëvonshme këtë faqe interneti (www.noradsanta.org) për të ndjekur, në tetë gjuhë, pozicionin në kohë reale të babagjyshit.


Vullnetarët u përgjigjen çdo vit thirrjeve telefonike të fëmijëve.

Ky gjurmin i Babagjyshit të Krishtlindjeve është kthyer në një institucion të tillë në SHBA që presidenti Donald Trump dhe bashkëshortja e tij, Melania, me pushime në Florida, kanë marrë disa thirrje telefonike.

“Çfarë dhurate të pëlqen më shumë?”, pyet presidenti një djalë të vogël.

“Kuba ndërtues? Kjo është ajo që kam dashur gjithmonë”, thekson Donald Trump për djalin.

Bashkëshortja e tij, Melania ka marrë gjithashtu telefonata duke u pyetur nga një fëmijë nëse e dinte se ku ndodhej Babagjyshi i Krishtlindjeve në kohën që po flisnin.

“Që prej momenti që do shkosh të flesh, Babagjyshi do të vijë”, e siguroi Melania Trump.

Origjina e këtij operacioni të Norad, misioni i të cilit është përveç të tjerave shumë serioz, daton që prej gjashtë dekadash, që prej kohës kur rrjeti më i madh i dyqaneve Sears kishte vendosur një njoftim në një gazetë lokale të Colorados duke propozuar një telefonatë të drejtpërdrejtë me Babagjyshin e Krishtlindjeve në numrin e vendosur në reklamë.

Por, për shkak të një gabimi, numri i vendosur në reklamë ishte në realitet, ai i telefonit të kuq të Norad.

I gjendur në linjë me një djalë që e pyeste nëse ishte “Santa Clausi”, oficeri i shërbimit të asaj dite, koloneli Harry Shoup, filloi lojën.

Ai udhëzoi njerëzit për të dhënë informacione mbi lokalizimin e Babagjyshit të Krishtlindjeve dhe i kërkoi madje një radioje lokale për të njoftuar se kishte parë një objekt të çuditshëm në qiell.