LAJMI I FUNDIT:

Për ngritjen e çmimit të rrymës, BSPK proteston për 1 Maj

Për ngritjen e çmimit të rrymës, BSPK proteston për 1 Maj

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës e konsideron si rast skandaloz paralajmërimin për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, sepse sipas tyre një qytetar më pagë minimale 170 euro nuk ka mundësi ta mbulojë këtë rritje të çmimit.

Në një konferencë të organizuar kryetari i BSPK-së Avni Ajdini tha se ata që do ta bëjnë këtë ngritje, nuk e di nëse kanë menduar së si do ta përballojnë qytetaret këtë ngritje ku papunësia në vend është 50 përqind.

“Shtrenjtimi i rrymës të cilin është duke u bërë nga ZRRE ne diskutojmë se është një diskutim i pamatur sepse nuk e di a kanë menduar për punëtorët apo nuk kanë menduar fare se a munden t’i bëjnë këto pagesa apo nuk munden për t’i paguar. E them këtë më përgjegjësi sepse papunësia e madhe e cila është në vendin tonë ne sindikalistët e kemi thënë edhe disa herë edhe pse në anën zyrtare është 32 përqind ne themi së është 50 përqind”, tha Ajdini.


BSPK sipas Ajdinit e kundërshton fuqishëm ngritjen e çmimit të rrymës pasi që kjo ua vështirëson jetën qytetarëve të Kosovës.

Sipas tij këto veprime i shtyjnë qytetarët që mos ta paguajnë faturat e rrymës e cila edhe ashtu ka qenë e shtrenjtë deri më tani.

“Sindikata e kundërshton këtë hap negativ të cilin do t’i sfidoj edhe punëtorët, sepse me page minimale 170 euro nuk mundet punëtori ta bëjë pagesën e çdo ngritje, përveç të tjerave, por edhe rryma si çështje elementare për ekzistencë për jetë të punëtorit” tha Ajdini.

Kryetari i BSPK-së Ajdini tha sot nuk do të jenë pjesë e protestës që është organizuar nga një grup qytetarësh por tha se për këtë çështje do të protestojnë më 1 Maj, kur edhe është dita e punëtorëve.