LAJMI I FUNDIT:

Eddie Vedder, tregimi për frontmenin e Pearl Jam që nuk e donte famën dhe që u rrit duke menduar se njerkun e kishte baba

Eddie Vedder, tregimi për frontmenin e Pearl Jam që nuk e donte famën dhe që u rrit duke menduar se njerkun e kishte baba
(Foto: Mike Coppola/Getty Images)

Sa herë që flitet për muzikën rok na shkon mendja te disa djem të rinj me flokë të gjata, shtatlartë e me zë më të trashë. Por, me kalimin e viteve industria e kësaj muzike ka evoluar shumë dhe formimi i grupeve të reja ka bërë që të vihen edhe disa standarde të reja. Ky evoluim ka fillet në vitet e nëntëdhjeta, kur përveç rokut klasik që jemi mësuar ta dëgjojmë, filluan të shfaqen në skenë grupe me rryma tjera por që për bazë kishin rokun.

Një ndër këto grupe është edhe “Pearl Jam” nga Seattle, që me stilin e tyre unik, vokalistin me një zë tejet karakteristik, Eddie Vedder, arritën t’ua rrëmbejnë zemrat miliona adhuruesve të muzikës rok nga e mbarë bota.

Për suksesin e këtij grupi tregojnë më së miri çmimet e shumta që i kanë fituar. Kurse hitet, si “Jeremy”, “Alive”, “Even Flow”, “Porch” dhe “Black”, kanë bërë që ky grup në krye me vokalistin Vedder që edhe pas 26 viteve që kur i kanë incizuar këto këngë në studio, t’i këndojnë në koncertet e tyre.


https://youtu.be/5ChbxMVgGV4

Vedder cilësohet si njëri nga zërat më të pëlqyer dhe të kërkuar në botën e muzikës rok. Kjo për faktin se ai në çdo paraqitje live ka arritur t’i mahnitë fansat e tij me energjinë dhe zërin unik. Por, ajo çfarë e bën më të veçantë këtë grup, është konsistenca e tyre që kanë arritur t’i bëjnë ballë ndryshimeve të tregut ndër vite, duke mos pranuar në asnjë mënyrë që t’i nënshtrohen muzikës komerciale, dhe duke i qëndruar përgjithmonë besnikë zhanrit të tyre me të cilin edhe janë bërë të njohur – Grunge.

Jeta dhe inkuadrimi në muzikë

Eddie Vedder është një muzikant amerikan, i cili luan në shumë instrumente dhe është frontmeni i bendit legjendar “Pearl Jam”. Ai njihet për vokalin e fuqishëm bariton, ndërsa pas vetes ka një karrierë shumë të suksesshme muzikore, ndërkohë që në këngët e tij është përfshirë një pjesë e madhe nga përditshmëria e tij jetësore.

Rokeri lindi më 23 dhjetor 1964 në paralagjen Evanston të Chicagos. Prindërit e tij, Karen Lee Vedder dhe Edward Louis Severson, Jr. e pagëzuan me emrin Edward Louis Severson III, ndërsa sa i përket origjinës, ai ka prejardhje gjermane dhe daneze. Mirëpo, derisa ishte foshnje, prindërit e tij u shkurorëzuan (në vitin 1965).

Nuk vonoi shumë dhe nëna e Vedder u martua me një burrë të quajtur Peter Mueller. Këngëtari u rrit duke besuar se Mueller ishte babai i tij biologjik dhe si fëmijë e ka shfrytëzuar emrin Edward Mueller.

(Foto: Getty Images)

Kah mesi i viteve të shtatëdhjeta, familja e Eddiet së bashku me tre gjysmëvëllezërit e tij, u vendosën në qarkun San Diego të Kalifornisë. Pikërisht në këtë periudhë, Vedder (që kishte marrë dhuratë një kitarë nga nëna e tij për ditëlindjen e 12-të) kishte nisur të merrej me muzikë dhe me surfim. Frymëzimi i tij ishte albumi “Quadrophenia” (1973) i grupit “The Who”. Si 15 vjeçar, ai ndihej tërësisht i vetmuar dhe gjithçka që kishte ishte muzika e tij.

Derisa ai ishte akoma tinejxher, nëna Eddiet dhe Mueller u shkurorëzuan. E ëma dhe vëllezërit e tij u kthyen në Chicago, ndërsa rokeri qëndroi me njerkun e tij në Kaliforni, në mënyrë që të mos i ndërronte shkollat.

Pas shkurorëzimit të nënës nga njerku u tij, Vedder e mësoi të vërtetën se kush ishte babai i tij i vërtetë. Si fëmijë, ai ishte takuar me babanë biologjik, mirëpo Severson ishte paraqitur si një mik i vjetër i familjes. Kur Eddie e mësoi të vërtetën, babai i tij kishte vdekur nga skleroza multiple. Ndërsa më vonë, kjo pjesë e jetës së tij do të ishte temë nëpër këngët e rokerit.

(Foto: Getty Images)

Në vitin e fundit të shkollës së mesme, këngëtari nisi të jetonte vetëm në një apartament dhe e mbante veten duke punuar natën në një barnatore në Encinitas. Mirëpo, ai u detyrua ta braktiste shkollën, për shkak të presionit për të baraspeshuar punën dhe shkollimin. Kështu, iu bashkua familjes në Chicago dhe në këtë kohë e ndërroi emrin në Eddie Vedder (Vedder ishte mbiemri i vajzërisë së nënës).

Në fillim të viteve të tetëdhjeta, edhe pse punonte si kamerier, Eddie arriti të marrë diplomën e shkollës së mesme dhe menjëherë pas u regjistrua në kolegj.

(Foto: Getty Images)

Vedder shkoi prapë në San Diego në vitin 1984 së bashku me të dashurën e tij, Beth Liebling dhe një shok. Atje bënte punë të ndryshme dhe ndërkohë bënte demo incizime, ndërsa e provonte veten në bende të ndryshme. Në vitin 1988, u bë vokalist i grupit të muzikës funk rock, “Bad Radio” dhe në këtë periudhë ky grup ishte i frymëzuar nga roku alternativ i “Red Hot Chili Peppers”.

Temple of the Dog

(Foto: Getty Images)

Kah fundi i viteve të tetëdhjeta, Vedder u takua me ish-bateristin e “Red Hot Chili Peppers”, Jack Irons, i cili u bë një nga miqtë e tij dhe luanin basketboll bashkë. Në vitin 1990, Irons i dha një demo incizim të një grupi nga Seattle që kërkonte këngëtar. Eddie e dëgjoi muzikën dhe shkroi tekstet për tri nga këngët që ndodheshin në të.

Këngët flisnin për një të ri, i cili e kupton se e kanë gënjyer për babanë e vërtetë dhe se babai i tij ka vdekur, gjë që lidhej pikërisht me jetën e Vedder. Mirëpo, në zhvillimin e mëtutjeshëm të ngjarjes në këngë, ky protagonist bëhet vrasës serik dhe pastaj e burgosin dhe e dënojnë me vdekje (kjo ishte pjesë e imagjinatës artistike të rokerit). Eddie i incizoi tri këngët dhe ia dërgoi grupit. (Këto tri këngë pas disa vitesh do të ishin hitet e “Pearl Jam”, “Alive”, “Once”, dhe “Footsteps”).

Anëtarët e grupit “Temple of the Dog” e pëlqyen zërin e veçantë të Vedder dhe e thirrën menjëherë në prova. Kënga “Hunger Strike” u incizua si duet ndërmjet Chris Cornell dhe Eddie Vedder dhe rezultoi e suksesshme, ndërsa edhe në disa këngë të tjera të grupit, Vedder ishte vokal përcjellës. “Hunger Strike” ishte kënga e parë e vërtetë në të cilën këndonte Eddie.

Pearl Jam

(Foto: Getty Images)

“Pearl Jam” u formua nga Jeff Ament, Stone Gossard dhe Mike McCready (me të cilët kishte bashkëpunuar në “Temple of the Dog”), të cilët më pas e rekrutuan Vedderin si frontmen. Bendi fillimisht u quajt “Mookie Blaylock” për nder të basketbollistit me të njëjtin emër, mirëpo në vitin 1991, pas nënshkrimit me Epic Records, grupi e ndryshoi emrin. Sidoqoftë, albumi i tyre i parë u titullua “Ten”, duke qenë se numri i fanellës së Blaylock ishte 10.

Albumi “Ten” ishte një prej albumeve më të shitura të muzikës alternative në vitet e nëntëdhjeta dhe grupi u bë përnjëherë i popullarizuar, ndërsa zhanri i muzikës ‘grunge’ kishte tërhequr shumë vëmendje.

https://www.youtube.com/watch?v=MS91knuzoOA

Kënga “Jeremy” u nominua për çmimin Grammy në kategorinë Kënga më e mirë rock dhe Performanca më e mirë hard rock. Në ceremoninë e MTV Video Music Awards, “Pearl Jam” rrëmbeu katër çmime për klipin e këngës “Jeremy”, duke përfshirë çmimin për Videon më të mirë të vitit dhe Videon më të mirë të një grupi.

Albumi i dytë i titulluar “Vs.” u lansua në vitin 1993, ndërsa në javën e parë të publikimit vuri rekord të shitjes dhe për pesë javë ishte numër 1 në Billboard 200. Ky album u nominua për çmimin Grammy në kategorinë Albumi më i mirë rock, ndërsa kënga “Daughter” u nominua në kategorinë e Performancës më të mirë rock, derisa kënga “Go” ishte në nominim për Performancën më të mirë hard rock.

Duke e ndier presionin e suksesit dhe famës që kryesisht binte mbi Vedder, grupi vendosi që të ulte nivelin e promovimit të albumeve duke refuzuar të xhironin videoklipe. Frontmeni e kishte problem famën, sepse nuk dëshironte që njerëzit të mendojnë se ai mund t’ua ndryshojë jetën apo mund t’i shpëtonte, dhe të prisnin diçka që ishte e pamundur. Në këtë periudhë, Eddie zhvilloi një lloj të paranojës dhe ndihej si i përndjekur, gjë që më pas e shprehu në këngën “Lukin” (nga albumi “No Code”).

Albumi i tretë me radhë ishte “Vitalogy” (1994) një tjetër sukses i madh i “Pearl Jam”. Në këtë kohë, Vedder nisi të luante më shpesh në ritëm kitarë, ndërsa gjatë incizimeve e bënte edhe vokalin përcjellës dhe në disa këngë luante edhe në bateri.

Tashmë temë e zakonshme në këngët e grupit ishte presioni i famës që ndjente Vedder, derisa albumi u nominua për Grammy në kategoritë Albumi i vitit dhe Albumi më i mirë rock. Kënga kryesore, “Spin the Black Circle”, e fitoi çmimin Grammy për Performancën më të mirë hard rock. Në këtë kohë, Dave Abbruzzese ishte përjashtuar nga grupi dhe ishte zëvendësuar nga ish-bateristi i “Red Hot Chili Peppers”, Jack Irons.

Në vitet pasuese u publikuan albumet “No Code” (1996) dhe “Yield” (1998). Irons u largua nga grupi, kurse në vend të tij u angahzua ish-bateristi i “Soundgarden”, Matt Cameron. “Do the Evolution” (nga “Yield”) u nominua për Grammy në kategorinë Performanca më e mirë hard rock.

Pas suksesit të këngës së përpunuar “Last Kiss”, grupi e publikoi albumin e gjashtë “Binaural” (2000), të shtatin “Riot Act” dhe albumin e tetë me emrin e grupit “Pearl Jam” (2006). Në vitin 2009 erdhi albumi “Backspacer”, kurse albumi i dhjetë i bendit u lansua në vitin 2013 me titull “Lightning Bolt”.

(Foto: Getty Images)

Në incizimet e “Pearl Jam”, Vedder e shfrytëzon pseudonimin Jerome Turner, ndërsa me raste edhe Wes C. Addle (West Seattle).

Kolonat zanore

Vedder ka kontribuuar me solo material për kolonat zanore dhe përpilimet muzikore për filmat, si “Dead Man Walking” (1995), “I Am Sam” (2001), “A Brokedown Melody” (2004), “Body of War” (2007), “Reign Over Me” (2007), “Into the Wild” (2007)  e të tjerë. Në vitin 2008, ai e fitoi çmimin Golden Globe për këngën “Guaranteed” nga “Into the Wild”.

Karriera solo dhe bashkëpunimet

(Foto: Getty Images)

Nuk kanë munguar edhe turnetë solo të Eddie Vedder, si edhe këngët që ai ka realizuar pa grupin e tij. Një përmbledhje këngësh ai e incizoi për filmin “Into the Wild”, ndërsa “Ukulele Songs” titullohej albumi i dytë solo.

Përveç interpretimeve me “Pearl Jam” dhe “Temple of the Dog”, Vedder ka performuar ose ka incizuar këngë me një numër të madh të yjeve dhe bendeve të njohura botërisht, si The Who, Ramones, Neil Young, R.E.M., Neil Finn, Bad Religion, Mark Seymour, Cat Power, Mike Watt, Fastbacks, Wellwater Conspiracy, Jack Irons, John Doe, The Strokes, Nusrat Fateh Ali Khan, Supersuckers, Susan Sarandone Zeke.

Në vitin 1993, Vedder interpretoi këngët “Break on Through (To the Other Side)”, “Light My Fire” e “Roadhouse Blues” me anëtarët e mbetur të bendit legjendar “The Doors”.

(Foto: Getty Images)

Vedder po ashtu ka performuar në skenë me disa prej emrave më të mëdha të muzikës dhe filmit, duke përfshirë Pete Townshend, Paul McCartney, Rolling Stones, U2, Bruce Springsteen, Robert Plant, Roger Waters, Sting, Peter Gabriel, Cat Stevens, Chris Martin, Flea, Beyonce, Bryan Adams, Ben Harper, Jack Johnson, Roger Daltrey, Jay-Z, Kings of Leon, Dave Grohl, Chad Smith, Perry Farrell, Cheap Trick, The Strokes, My Morning Jacket, Beck, Sheryl Crow, Jerry Cantrell, Andrew Stockdale, Josh Homme, Mike Ness, Neil Young, Guided By Voices, Ace Frehley, Dave Matthews, Elvis Costello, grupi X, Natalie Maines, Tim Robbins, Johnny Depp, Adam Sandler, Jeanne Tripplehorn, Glen Hansard, Simon Townshend, Joe Elliott e shumë të tjerë.

Vlerësimi

(Foto: Getty Images)

Në listën e revistës Rolling Stone për vokalistët më të mirë të të gjitha kohërave, Vedder është renditur i shtati. Ndërsa Loudwire e ka pozicionuar në vend të 36-të në listën prej 50 frontmenëve më të mirë të muzikës hard rock dhe heavy metal.

Jeta personale

Sa i përket pikëpamjes fetare, Vedder është ateist.

Në vitin 1994 u martua me të dashurën e tij, muzikanten Beth Liebling, me të cilën u nda në vitin 2000. Pas shkurorëzimit nga ajo ndryshoi edhe stili muzikor i tij, me ç’rast tekstet ishin më të thella.

(Foto: Getty Images)

Në vitin 2010, rokeri u martua me modelen Jill McCormick, me të cilën ka dy vajza.

Vedder është një tifoz i madh i sportit. Ai pëlqen ekipin e basketbollit Chicago Bulls, atë të futbollit amerikan Chicago Bears, ndërsa është një ultras i skuadrës së bejsbollit Chicago Cubs. Rokeri është vazhdimisht i pranishëm në ndeshjet e Cubs dhe i ka miq shumë nga lojtarët. Po ashtu, ka bërë edhe këngë për këtë ekip. /Telegrafi/

(Foto: Getty Images)

Në trend Magazina

Më shumë
Atilla Kardesh rikthehet sonte në spektaklin Big Brother VIP Kosova

Atilla Kardesh rikthehet sonte në spektaklin Big Brother VIP Kosova

Magazina

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
Lejla pohon se Burimi ka tentuar ta puthë në buzë

Lejla pohon se Burimi ka tentuar ta puthë në buzë

Magazina
Sara Kolami: Nuk më pengon mosha e Drilonit

Sara Kolami: Nuk më pengon mosha e Drilonit

Magazina
Detaje që nuk i dinit për xhirimet e filmit “Titanik”, shihni se si është filmuar skena e fundosjes së korridorit

Detaje që nuk i dinit për xhirimet e filmit “Titanik”, shihni se si është filmuar skena e fundosjes së korridorit

Magazina
Shyhrete Behluli shënon 50-vjetorin e karrierës së saj muzikore

Shyhrete Behluli shënon 50-vjetorin e karrierës së saj muzikore

Magazina
Kalo në kategori