Për çka karakterizohen tri burgjet e Sefer Tafilit? Telegrafi ju sjell më poshtë një shkrim të botuar në Javoren Politike Shqiptare, në nëntor 2002.
Në rrugën që çon nga Prizreni drejt Vërmicës e tutje për në Shqipëri, në Qafë të Zhurit, aty ku në të majtë kthen udha për në Zhur, skaj rrugës, në anën e djathtë, janë disa varre dhe njëri nga ta është i rregulluar mirë: me epitaf, me fotografi dhe me shqiponjë. Në të shkruan: “Baba, do të jesh gjithmonë i paharruar në zemrat tona”. Pastaj emri, mbiemri, data e lindjes dhe e vdekjes: Sefer Tafili, 1912-1972…
E, kush ishte Sefer Tafili?
TRIM E ATDHETAR I MADH
Sefer Tafili, nga fshati Zhur i Komunës së Prizrenit, u lind më 1912. Meqë në atë kohë shkollimi bëhej në gjuhën serbe, Seferi arriti të mësojë shkrim-lexim dhe të kryejë katër klasë. Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë viteve 1947 dhe 1948, ishte kryetar i komunës së atëhershme të Zhurit e cila, sipas ndarjeve të atëhershme administrative, bënte pjesë në rrethin e Sharrit.
Seferi me kohë kuptoi ndarjen e padrejtë të Kosovës nga shteti amë dhe u angazhua bashkë me tre shokë të tjerë: Rizan Bajram Xhoxhajn, Ibish Avdiun e Xhafer Selmanin, në mbajtjen e lidhjeve me patriotët andej kufirit, për të organizuar veprimtari atdhetare për bashkim kombëtar, pra për të propaguar ndarjen e padrejtë të shqiptarëve me kufij të paqenë. Grupi prej katër bashkëmendimtarësh nuk kishte emër por, në bazë të veprimtarisë që zhvillonte, lirisht ka mundur të quhej grupi “Bashkimi Kombëtar”.
Arrestimi i parë i Sefer Tafilit u bë në kohën kur ai ishte punëtor në mirëmbajtjen e rrugëve, pas dekonspirimit të grupit katëranëtarësh, i cili pas Informbyrosë, më 1948, ishte mbledhur për të biseduar se si të krijoheshin lidhjet me atdhetarët andej kufirit në të mirë të propagimit të bashkimit të sërishëm kombëtar. Grupi dekonspirohet më 1949. Por, ndërkohë, ky grup disa herë kishte kaluar kufirin me Shqipërinë, kishte vënë lidhje me atdhetarët atje (ndër ta edhe të ikur nga Kosova), u kishin dërguar atyre edhe shtypin e materiale të tjera. Pos Seferit, më 1949, arrestohen edhe tre bashkëmendimtarët e tij: Rizani, Ibishi e Xhaferi, dhe për të katërtit organizohet gjyq në Prishtinë, më 11 tetor të vitit 1950. Ata akuzohen për veprimtari kundër shtetit dhe rregullimit shoqëror të Jugosllavisë së atëhershme, sepse “… më 1949 pranuan të punojnë dhe punuan, në territorin e rrethit të Sharrit, për agjencinë shqiptare të spiunimit ‘Sigurimi’…”.
Gjyqi tha se ata bënë vepër penale të spiunazhit kundër shtetit. Derisa u bë gjyqi për ta, Rizani ishte dërguar në Goli-Otok, ndërsa Seferi, Xhaferi e Ibushi ishin mbajtur në Burgun e Prizrenit. Rizanin e kthyen nga Goli-Otoku për t’ia bërë gjyqin bashkë me shokët në Prishtinë dhe në atë gjykim që u mbajt më 11 tetor 1950, me 12 vjet burg u dënua Rizan Bajram Xhoxhaj, me tetë vjet burg Sefer Tafili, me tre vjet Xhafer Selmani, ndërsa Ibish Avdiu u dënua me dy vjet burg me kusht. Seferin, Rizanin e Xhaferin i dërguan në Burgun e Nishit, nga aty në Burgun e Sremit dhe nga Sremi në Goli-Otok. Seferin e kthyen sërishmi në Burgun e Sremit, ndërsa Rizani qëndroi në Goli-Otok deri më 1956…
Sefer Tafili dhe Ibish Avdiu u dënuan edhe një herë me nga dy vjet burg, sepse në Opojë, në një darkë, kishin zhvilluar bisedë rreth veprimtarisë patriotike.
Herën e tretë, Sefer Tafili u dënua me gjashtë muaj burg, sepse martoi vajzën e mitur…
Këto ishin tri gjyqet që iu bënë trimit dhe atdhetarit Sefer Tafili, i cili vdiq më 1972, duke lënë pas vetes tre djem: Bajramin, Asllanin e Bahtjarin, dhe tri vajza: Beglijen, Shahijen dhe Alltanen. Bajrami jeton në Prishtinë, Asllani ka vdekur, Bahtjari ndodhet në Gjermani, ndërsa tri vajzat janë të martuara…
Nga grupi katëranëtarësh i Seferit, sot është gjallë vetëm Rizan Bajram Xhoxhaj, që jeton në Petrovë të Prizrenit.
TRI GJYQET E SEFER TAFILIT
Bajrami, djali i madh i Seferit, thotë se pas rënies së parë në burg të babait, ai, si djali më i madh në familje, në moshën 14-vjeçare u detyrua të shkojë në Beograd për të punuar punë fizike, vetëm e vetëm të ndihmojë babain në burg. Nga Beogradi, Bajrami i dërgonte atij në Nish një herë në muaj ushqime e duhan. Për familjen e Seferit në Zhur kujdesej Shaniu, vëllai i Seferit, ndërsa për Seferin në burg kujdesej djali i tij 14-vjeçar.
Bajrami, si i përjashtuar nga shkolla ngaqë ishte fëmijë i “armikut të shtetit”, gjashtë vjet qëndron në Beograd, nga atje shkon në Francë nja gjashtë vjet dhe nja njëzet vjet të tjera i kalon në Francë.
– Kemi qenë familje e persekutuar nga pushteti. Nga frika, ishim të lëçitur edhe nga fshati. Kush nuk guxonte të na vizitonte. Vetëm shokët e babës vinin natën. Askush tjetër. Edhe varrezat i kishim të ndara nga fshati, sepse as të vdekurit nuk na lejonin t’i varrosnim si duhet. Lopa jonë nuk guxonte të kulloste me lopët e katundit. Kalin e shalës që kishte babai nuk guxonin ta merrnin njerëzit nëpër dasma. Edhe kur vdiq babai, nuk na lanë ta varrosim ashtu si e meritonte. Ai është varrosur në varrezat e familjes, ndaras nga ato të fshatit, në Qafë të Zhurit, buzë rrugës që çon për në Shqipëri, kurse më 1981 pushteti deshi t’ia thejë pllakën përkujtimore mbi varr, ngase në të ishte e gdhendur shqiponja, – tregon sot Bajrami.
E, Sefer Tafili e donte shumë flamurin kombëtar. Gjithmonë e festonte 28 Nëntorin. Në shtëpi, por edhe në burg. Më 28 Nëntor e ngriste flamurin, ndërsa të nesërmen vinte UDB-ja në shtëpinë e tij.
– Ishim në Burgun e Nishit. Më 28 Nëntor, Seferi më tha: ‘Rizan, merre këtë kuti (kutia kishte 100 cigare ‘Zeta’) dhe ua jep shokëve nga një’. Në një pavijon ishim 105 të burgosur. ‘Pse Sefer?’, e pyeta. ‘Thuaju shokëve se e kam ditëlindjen dhe mos u trego se po ua uroj 28 Nëntorin’, m’u përgjigj ai – tregon sot Rizan Bajram Xhoxhaj, 83-vjeçar nga Petrova e Prizrenit, i vetmi i mbetur gjallë nga grupi i Sefer Tafilit.
Sefer Tafili vdiq më 1972, nga tumori ne vesh. Bajrami u mundua ta shërojë në Gjermani nja një muaj, por kot. Ai nuk e përjashton mundësinë që kjo të jetë edhe pasojë e rrahjeve nëpër burgje…
Bajrami, djali i madh i Seferit, më 28 Nëntor 1999, në kremtimin e parë të Ditës së Flamurit në Kosovën e lirë, shkoi bashkë me vajzën, Donikën, te varri i babës, ngriti flamurin kombëtar aty dhe i foli varrit: “Babë, tash po e ngrisim flamurin të lirë. Për këtë ti punove tërë jetën”…
Bajramit edhe sot i tingëllojnë freskët fjalët e babait: “Bir, unë po vuaj e edhe ju po vuani për shkak timin, por do të vijë dita kur do t’i gëzoni të gjitha”.
Trashëgimtarët e Seferit: djem, vajza, nipa, mbesa, stërnipa e stërmbesa janë mbi 50…
Shtëpia ku jetonte Sefer Tafili, gjatë luftës së fundit u bë rrafsh me tokë. Në të jetonte Asllani (tash i ndjerë), sepse Bajrami ka shtëpi në Prishtinë, ndërsa Bahtjari jeton në Gjermani. Bashkë me shtëpinë u dogjën edhe të gjitha dokumentet e atdhetarit Sefer Tafili.
– Shtëpinë e dogjën dhe e bënë rrafsh me tokë, vetëm pse ishte e Sefer Tafilit. Dhe, bashkë me shtëpinë, na u dogjën edhe të gjitha dokumentet që kishim, ndër to edhe dokumentet e babagjyshit tim, – thotë nipi i Seferit dhe djalë i Asllanit, Bekimi.
Por, në vend të shtëpisë së dikurshme, tash është shtëpia e re, përplot me anëtarë të familjes.
NA LIDHTE IDEALI I PËRBASHKËT – BASHKIMI KOMBËTAR
E, çka thotë për Sefer Tafilin bashkëveprimtari i tij i vetëm i gjallë, 83-vjeçari Rizan Bajram Xhoxhaj nga Petrova e Prizrenit?
– Me Seferin më ka lidhur ideali i përbashkët – bashkimi kombëtar. Më 1948, bashkë me Seferin, me Ibish Avdiun e me Xhafer Selmanin biseduam si të shkojmë në Shqipëri e të lidhemi me shokët tanë atje për të punuar për bashkim kombëtar. Shumë herë e kemi kaluar kufirin. Kishim kontakte edhe me kosovarët që kishin ikur atje. Kjo zgjati deri më 1949, kur edhe na zbuluan. Shaban Haxhija ma dha një letër që t’ia dërgoja një personi me emrin Enver Behluli. Letra ra në duart e UDB-së. Mua më kapën në Krushë dhe më dërguan drejt e në Burgun e Prishtinës. 12 ditë e 12 net më mbajtën aty, derisa e sollën atë Enverin me letër në dorë. S’kisha nga t’ia mbaja. Mua më mbajtën në Burgun e Prishtinës, ndërsa Seferin, Xhaferin e Ibishin në Burgun e Prizrenit. Më 27 prill 1950, nga ngarkuan në tren nja 60 të burgosur dhe na dërguan në Beograd. Një ditë na mbajtën në Topçider dhe, të nesërmen, i mbushën trenat me 1.200 veta dhe drejt e në Goli-Otok. Ishim grupi i dytë që po dërgohej në Goli-Otok. Ata kishin organizuar grupin e parë të të burgosurve që të na rrahnin neve. Grupi e parë e rrahte grupin e dytë. Përjetova tmerrin. Pas katër muajsh qëndrimi në Goli-Otok, më kthyen në Prishtinë të më dënonin bashkë me Seferin, me Xhaferin dhe me Ibishin, – tregon sot Rizan Bajram Xhoxhaj.
Dhe, është vështirë të përthekohen shkurt të gjitha ato që i rrëfen sot xha Rizani. Janë një histori e tërë…
– Me Seferin kam qenë shumë i lidhur. Ishte shok i mirë, i afërt, por edhe trim e atdhetar i madh, – thotë Rizan Bajram Xhoxhaj, si 18-vjeçar punëtor krahu në Beograd, dy vjet ushtar i ushtrisë shqiptare (në kohën e italianëve), dy vjet partizan, pas luftës referent i bujqësisë në komunën e Zhurit, më vonë me detyrë në Prizren për të formuar kooperativa bujqësore por që nuk e formoi asnjë, i dërguar nga UDB-ja disa herë në kufi me Shqipërinë (bashkë me Seferin) gjoja për pushkatim e me qëllim të frikësimit, përjetues i tmerrit të Goli-Otokut, me zanat të mësuar të mbathtarit e të farkëtarit në Goli-Otok, sa herë që vinte ndonjë shtetar i huaj në Beograd e derisa shkonte ai i arrestuar (bashkë me Seferin), sot 83-vjeçar, me katër djem e katër vajza dhe me 35 nipa, mbesa, stërnipa e stërmbesa…
Çka për fund?
A u thanë të gjithat për Sefer Tafilin?
Absolutisht jo dhe as që mund të thuhen brenda këtij shkrimi. Le të mbetet detyrë e historianëve t’i ndriçojnë edhe këto katër figura të atdhetarizmës shqiptare. Aq më tepër kur xha Rizan Bajram Xhoxhaj nga Vërmica, që sot jeton në Petrovë të Prizrenit, është i vetmi dëshmitar i gjallë nga grupi katëranëtarësh që assesi nuk u pajtua me copëtimin e trojeve etnike shqiptare… /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëBanesat kolektive në veri të ndërtuara nga Serbia, do të legalizohen
Serbët në veri të Mitrovicës thërrasin “Vuçiqi në burg”
“Armën e kisha përpara”, i akuzuari Andi Pajaziti rrëfen detajet për vrasjen në “Bon Vivant”
Murati: Ripërcaktimi i kufijve, zgjidhja e vetme për një Kosovë funksionale
"Firmosëm shkresën serbe", dëshmitë e dy shqiptarëve që u dëbuan nga Serbia
Fondi sekret i Ushtrisë së Kosovës
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Befasia e këtij fillim viti: Nga Spanja raportojnë se Messi po rikthehet te Barcelona
Surpriza tejet e veçantë për Vullnetin: Niset për në Negroc për t'i takuar familjarët e tij
Musk po shkakton telashe në Evropë - çfarë përfiton ai nga kjo?
Olta Gixhari shkëlqen në finalen e Big Brother VIP Kosova me një pamje mahnitëse
100 milionë euro? As kjo nuk e bindi yllin e Real Madridit të braktiste Bernabeun për Chelsean e Abramovichit
Xuxi surprizohet nga familja e tij në finalen e Big Brother VIP Kosova