LAJMI I FUNDIT:

Lluka: Do t’i zgjidhim problemet e punëtorëve të Trepçës

Lluka: Do t’i zgjidhim problemet e punëtorëve të Trepçës

Ministrit i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka vizituar sot Ndërmarrjen Trepça, ku ka thënë se janë në rrugën e duhur për të rregulluar shumicën e problemeve që hasin punëtorët e Trepçës.

“Në mëngjesin e sotëm, si pjesë e premtimeve për të rregulluar probleme e Trepçës, isha në vizitë në këtë ndërmarrje ku u takova me ekzekutivin dhe sindikatën. Ishte një takim mjaftë i mirë dhe besoj që jemi në rrugën e duhur për të rregulluar shumicën e problemeve që hasin punëtorët e Trepçës. Vizita tjetër u planifikua të bëhet në fund të këtij muaji për të monitoruar progresin e premtimeve nga secila palë”, ka shkruar ai në Facebook.


Lluka ka shkruar se i ka informuar se Qeveria e Kosovës, në bazë të ligjit mbi Trepçën të sponsoruar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ka bërë shpalljen e pozitave për drejtorët e bordit mbikëqyrës, që është hapi i parë konkret drejtë aktivizimit të këtij gjigandi ekonomik.

“Në këtë bord, nga 9 pozita të hapura, 2 do të përfaqësohen nga punëtoret e Trepçës! Ministria e Zhvillimit Ekonomik është duke i ndërmarrë të gjithat hapat e nevojshëm që i hapin rrugë zhvillimit të kësaj ndërmarrje, andaj vlerësoj se nisja e procesit për zgjedhjen e Bordit të Trepçës, do t’i paraprij hapave të tjerë konkretë që ka paraparë MZHE siç janë hartimi i Statutit dhe regjistrimi i ndërmarrjes si Trepça SHA”, ka thënë ai.