LAJMI I FUNDIT:

Gara për aleancat para balotazhit

Gara për aleancat para balotazhit

Është çështje ditësh kur partitë politike do t’i konkretizojnë marrëveshjet për përkrahje në garën e balotazhit, e cila mbahet më 19 nëntor. Kandidatët që arritën në rrethin e dytë të garës po bëjnë “luftë” për të marrë përkrahje nga partitë që nuk arritën të futen në balotazh.

Një garë e fortë pritet të zhvillohet në Prishtinë mes Shpend Ahmetit të “Vetëvendosjes” dhe Arban Abrashit të LDK-së. Ky i fundit ka treguar se në disa pika është afruar me Arbër Vllahiun e AAK-së, mirëpo Vllahiu tha për “Zërin” se takime të tilla si me Abrashin po mban edhe me Ahmetin e LVV-së.

Në anën tjetër, Mimoza Kusari Lila e Alternativës pritet ta finalizojë marrëveshjen me LDK-në e me “Vetëvendosjen”.


Ndërkohë edhe Agim Bahtiri i AKR-së thotë se shumë shpejt do ta bëjë publike marrëveshjen për Mitrovicën.

Pavarësisht kandidatëve që po tentojnë t’i bashkojnë forcat për fitore, disa të tjerë kanë vendosur që edhe këtë herë garës t’i hynë vetë.

Lufti Haziri e Agim Veliu deklaruan se nuk u duhen aleancat për ta fituar garën e balotazhit. Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka komentuar koalicionet e mundshme për balotazhin në Prishtinë.

Ai ka konfirmuar se ka pasur takime me Arbër Vllahiun e me AAK-së, me të cilin janë pajtuar në disa pika.

“Me Arbërin jam takuar dhe jemi pajtuar në disa pika, ka ide dhe kemi mbetur të bisedojmë ende. Marrëveshje zyrtare ende nuk ka”, ka thënë Abrashi gjatë ditës së djeshme. Ndërkohë, lidhur me këtë Arbër Vllahiu ka thënë për “Zërin” se përveç me kandidatin e LDK-së Arban Abrashin, ai po mban kontakte e takime edhe me kandidatin e lëvizjes “Vetëvendosje” Shpend Ahmetin. /Zëri/