LAJMI I FUNDIT:

Xhaferi-Rodríguez: Të përforcohen marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve

Xhaferi-Rodríguez: Të përforcohen marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi sot u takua me ambasadorin e Republikës së Kubës,  Pedro Pablo San Jorge Rodríguez, ku u potencuan marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe nevoja që të njejtat të përforcohen dhe të thellohen.

Xhaferi, siç informojnë nga kabineti i tij, e ka informuar ambasadorin kubanez se në Kuvend është formuar Grupi parlamentar për bashkëpunim me vendet e Amerikës Latine dhe Karaibeve, dhe theksoi se do të japë kontributin e tij në përforcimin e bashkëpunimit parlamentar ndërmjet të dyja palëve.

Xhaferi, gjithashtu, e mbështeti nënshkrimin e “Memorandumit për bashkëpunim”, ndërmjet ministrive të punëve të jashtme të të dyja vendeve dhe shfaqi shpresë se në periudhën e ardhshme do të nënshkruhen edhe marrëveshjet bilaterale në sferën e bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor.


Ambasadori i Kubës,  Pedro Pablo San Jorge Rodríguez, e theksoi kënaqësinë dhe falënderimin e vet për takimin me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe shpresoi se ky takim do të jetë nxitje për zgjerimin dhe përforcimin e bashkëpunimit të ardhshëm ndërmjet të dyja palëve.

Ambasadori e theksoi edhe mbështetjen e Kubës në rrugën drejt integrimeve euroatlantike të vendit tonë dhe në këtë drejtim e përshëndeti Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bulgarisë, si hap i mëtejshëm në afrimin me BE-në./Telegrafi/