LAJMI I FUNDIT:

Limaj: Do të jemi afër familjeve në nevojë

Limaj: Do të jemi afër familjeve në nevojë

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, në Konventën Elektorale të Nismës, ka thënë se filozofia e tyre politike është që të jenë afër njerëzve që nuk kanë mundësi.

“Kandidatët tanë do të jenë afër familjeve të varfra, afër atyre që tentohet t’iu bëhet padrejtësi”, ka thënë Limaj, duke iu drejtuar kandidatëve të tyre për kryetar dhe deputetë komunalë, raporton Ekonomia Online.

“Zemra jonë është solidariteti, angazhimi ynë është gjithmonë mbajtja e fjalës”, ka thënë Limaj.


“Ajo që e vret një politikan është arroganca, shkëputja nga qytetarët, mosdëgjimi i shqetësimeve dhe halleve të qytetarëve. Detyra e juaja është t’i dëgjoni ata, të jeni pranë tyre”, tha ai.

“Mos i sillni si sundimtarë kur ta merrni detyrën. Sundimtar i Kosovës është vetëm populli dhe jo politikanët. Mos harroni se janë mijëra veta që qëndrojnë prapa jush që ju kanë votuar. pa ta nuk jeni askush”, ishte porosia tjetër e Limajt.

“Me e rëndësishme është jo si do të futni në zyra, por si do të dilni kur ta përfundoni mandatin”.

Më tutje, Limaj iu ka thënë kandidatëve të Nismës se i presin 1 milion probleme nesër kur ta nisin detyrën. “Pritjet e qytetarëve janë të mëdha. Puna jonë është të punojmë sa mundemi e sa dimë që ta meritojmë besimin që na e kanë dhënë”, tha ai.