LAJMI I FUNDIT:

Parashikimi i motit për ditët në vijim: Vjeshta po vjen!

Parashikimi i motit për ditët në vijim: Vjeshta po vjen!

Sot, më 1 shtator, në aspektin meteorologjik fillon stina e vjeshtës. Sipas parashikimeve të fundit, në javën që po vjen pritet të mbajë mot më tipik vjeshtor, me vranësira dhe shi, derisa edhe temperaturat parashihet të zbresin rreth vlerave normale për këtë periudhë, raporton Prishtina Weather.

Ndërkohë, vala e të nxehtit nga Afrika veriore do të dobësohet dhe zhvendoset në lindje, ndërsa një turbullirë, që po vjen nga Atlantiku, ditëve të fundjavës do të kaloj mbi rajonin tonë, që do të sjell vranësira dhe shi, si dhe masa më të ftohta ajrore.


Të dielën do të mbajë mot jo aq i ngrohtë, me vranësira dhe diell. Herët në mëngjes mundësi për riga lokale shiu, e pasdite dhe në mbrëmje vende-vende priten reshje lokale shiu me bubullima.

Në fillim të javës së ardhshme do të mbajë mot më i freskët, kryesisht me vranësira, kohë pas kohe me mundësi edhe për reshje të dobëta shiu.

Të dielën pritet ndryshim i motit, me vranësira dhe mundësi për reshje lokale shiu dhe bubullima në orët e pasdites dhe mbrëmje. Reshjet pritet të vazhdojnë edhe të hënën paradite.

Në fundjavë era do të fryjë mesatarisht dhe fuqishme nga jugperëndimi 5-13m/s, e gjatë javës së ardhshme nga krahu verior 3-7m/s.

Me afrimin e turbullirës, shtypja atmosferike në fundjavë do të zbres nën vlera normale, e më pas do të shënojë rritje. /Telegrafi/