LAJMI I FUNDIT:

Vonesa e krijimit të institucioneve, alarmon afaristët

Vonesa e krijimit të institucioneve, alarmon afaristët

Kosova nuk ka komoditet të funksionojë pa institucione dhe mungesa e tyre është duke e goditur vendin në forma të ndryshme, kanë thënë për Radio Kosovën afaristët dhe përfaqësues të bizneseve. Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu thotë se është koha e fundit për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.

Vonesa e krijimit të institucioneve të reja, po i shqetëson edhe afaristët. Kjo vonesë sipas kryetarit të Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu, po e dëmton Kosovën në forma të ndryshme.

“Nuk kemi konstituim të bordeve që janë substanciale për zhvillim ekonomik, e kemi një situatë mjaft alarmante sa i përket Partneritetit me institucione europiane dhe kur krejt kësaj i shtohet fakti që edhe më tej nuk dihet një datë konkrete e asaj se kur do të kemi institucione, e vënë në dyshim edhe më tepër rishikimin e buxhetit të vitit 2017”, thotë Gërxhaliu.


Çështje shqetësuese sipas tij, për afaristët është mos-kryerja e pagesave ndaj tyre për punët e kontraktuara me institucionet publike.

“Dhe nëse nuk do të kemi rishikim të këtij buxheti, atëherë si do të kryhen pagesat për sektorin privat, sektor privat që është implementues dhe zbatues i projekteve të financuar nga qeveria që janë të natyrës publike”, theksoi Gërxhaliu.

Por afaristët frikohen të flasin hapur për borxhet që i kanë ndaj tyre institucionet qeveritare. “800 mijë euro m’i ka Ministria e Infrastrukturës… jo jo nuk dua të flas”, shprehet një afarist në anonimitet.

Kurse afaristi tjetër, Fadil Berjani apelon që institucionet të formohen sa më shpejt. “Vonesa e institucioneve ndikon shumë në biznese prandaj ne apelojmë që sa më parë të formohen institucionet sepse të gjithë ne po i bartim pasojat për mosfunksionimin e shtetit ashtu si duhet të funksionojë”, tha Berjani, raporton Radio Kosova.

Afaristët dhe përfaqësuesit e tyre thonë se mbi shtetin nuk mund të jenë interesat e caktuara të individëve e partive politike. Prandaj thonë ata është koha e fundit që në Kosovë të bëhet me tepër për shtet sesa të flitet. /Telegrafi/