LAJMI I FUNDIT:

Policia vazhdon angazhimet shtesë për siguri në trafik, për 24 shqipton 2,218 gjoba

Policia vazhdon angazhimet shtesë për siguri në trafik, për 24 shqipton 2,218 gjoba

Siç është njoftuar edhe më herët Policia e Kosovës ka marrë masa shtesë, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve të trafikut, të cilat kohët e fundit kanë shënuar ngritje.

Policia e Kosovës, referuar situatës së krijuar dhe humbjes së jetëve të njerëzve në trafik siç është bërë e ditur ka marrë masa shtesë me krijimin e TASK FORCE-s, përmes së cilës është bërë shtimi i prezencës së njësiteve policore në trafik në të gjitha akset rrugore, për realizimin e planifikimeve policore duke aplikuar masën zero-tolerancë ndaj gjithë kundërvajtësve në trafik, thuhet në kumtesën e Policisë së Kosovës, transmeton Telegrafi.

Sipas policisë aplikimi i masës zero-tolerancë ndaj gjithë kundërvajtësve në trafik, ka shtuar edhe numrin e shqiptimit të gjobave në trafik ku gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 2,218 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, duke përfshirë edhe për tejkalimin e shpejtësisë e që është njëri prej shkaktarëve kyç të aksidenteve me pasoja fatale.


“TASK-FORCE policore do të vazhdojë me angazhimet e saja në terren deri në arritjen e qëllimit dhe objektivave të saja, e që janë përmirësimi i sigurisë në trafik dhe parandalimi i aksidenteve”, thuhet në kumtesë.

Policia e Kosovës, sikurse edhe më parë vazhdon të apelojë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e posaçërisht  te shoferët e automjeteve, që të respektojnë shenjat e trafikut, t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe shpejtësisë së lejuar, në mënyrë që të gjithë së bashku të kontribuojmë për një siguri më të madhe në trafik. /Telegrafi/