LAJMI I FUNDIT:

Selmani: Reformat në media përshpejtojnë procesin e integrimit

Selmani: Reformat në media përshpejtojnë procesin e integrimit

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, duke komentuar planin e Qeverisë, të njohur si Plani për nxitjen e procesit integrues 3-6-9 ku përfshihen dhe reformat në media, thotë se aktualisht është evident vullneti politik i kësaj përbërjeje udhëheqëse të shtetit për të realizuar reforma në media, por mbetet të shihet se ky vullnet sa do të arrijë të marrë shtrirje praktike.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ai thotë se në kuadër të planit të Qeverisë për përshpejtimin e proceseve integruese, në pjesën që ka të bëjë me mediat janë inkorporuar dhe vërejtjet e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, si dhe një pjesë të ekspertëve mediatik.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë,Naser Selmani, thotë se reformat në media duhet fillojnë me sigurinë e gazetarëve.


“Ajo që duhet bërë urgjentisht është zgjidhja e çështjes së sigurisë së gazetarëve. Njëkohësisht presim që Qeveria e re e Maqedonisë të gjykojë ashpër çdo lloj dhune të ushtruar ndaj gazetarëve”.

“Kjo do të paraqesë një porosi të qartë deri te të gjithë, se Qeveria e re nuk do t’i lejojë sulmet ndaj gazetarëve, sepse çdo sulm ndaj gazetarëve paraqet sulm ndaj lirisë së shprehjes”, thotë Selmani.

Në kuadër të dokumentit të hartuar nga punonjësit e mediave drejtuar Qeverisë së Maqedonisë, me të cilin kërkohen reforma sistemore në lëmin e medieve është theksuar nevoja e transparencës së institucioneve si dhe përforcimi i kapaciteteve për gazetari hulumtuese.

Zhaneta Trajkoska nga Instituti i Medieve në Maqedoni, për Radion Evropa e Lirë thotë se ka shumë punë për t’u bërë në drejtim çlirimit të medieve nga influenca e politikës, Plani i qeverisë 3-6-9 paraqet një bazament të mirë për realizimin e reformave .

Ndërkaq, Sefer Tahiri, ligjërues në Fakultetin e Komunikimit dhe Medieve në kuadër të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, si më akut fokuson fillimin e procesit të reformave në disa institucione themelore në fushën e medieve, që ka të bëjë me departizimin dhe depolitizimin e e tyre, duke filluar nga Shërbimi Radiodifuziv.

Ndryshe, gjatë së premtes, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, tha se me rebalancin e buxhetit do të shkurtohen mjetet e parapara nga buxheti i shtetit për reklamimin e politikave të ndryshme të Qeverisë brenda dhe jashtë vendit.

Punonjësit e medieve kanë theksuar se me këtë vendim qeveria e Maqedonisë përçon një porosi të qartë, se duke u shndërruar në një makineri propaganduese të qeverisë, mund të jenë të sigurt sa i përket financave, duke pasur qasje në mjetet e arkës së shtetit.