LAJMI I FUNDIT:

Më shumë nxënës se vitin e kaluar në shkollat e mesme në Maqedoni

Më shumë nxënës se vitin e kaluar në shkollat e mesme në Maqedoni

Është ende shumë herët të flitet për numrin e përgjithshëm të nxënësve që do të hyjnë për herë të parë në ciklin e arsimit të mesëm nga viti shkollor 2017/2018, megjithatë sinjalet e para janë se këtë vit do të kemi shumë më tepër nxënës se vitin e kaluar, shkruan gazeta KOHA. Që në paraqitjen e parë të dorëzimit të dokumenteve për regjistrim në afatin e qershorit, u vërejt jehonë dukshëm më e madhe e paraqitjes së nxënësve, krahasuar me të njëjtën periudhë të para një viti dhe kjo shpjegohet me rritjen e numrit të gjysmë-maturantëve të këtij viti. Të gjitha shkollat e kontaktuara, flasin për numër më të madh të kandidatëve se sa vitin e kaluar. Vetëm në Shkup është rritur për 550 më shumë numri i gjysmë maturantëve krahasuar me një vit më parë.

Para se shkollat të hapin dyert për paraqitja e dytë të dokumenteve të regjistrimit për afatin e parë, shkollat tash më kanë bërë bilancin e vendeve të plotësuara në paraqitjen e parë dhe vendeve të mbetura për afatet tjera të regjistrimit. Nuk është vetëm Gjimnazin “Zef Lush Marku” dhe Shkolla e mesme e mjekësisë “Pançe Karagjozov” në Shkup, që patën numër më të madh kandidatësh në dy ditët e para të regjistrimit. Numri më i madh i dokumenteve të paraqitura, duket se ka qenë karakteristikë e të gjitha shkollave.

Kjo, në fakt ka të bëjë me rritjen në nivel shteti të numrit të nxënësve që kanë kryer shkollimin nëntëvjeçar. Vedat Mustafa, ndihmësdrejtor në Shkollën e mesme të kimisë, “Maria Kiri Skllodovksa”, pohon se “krahasuar me periudhën e njëjtë të para një viti, fluksi i nxënësve ka qenë më i madh”. Mirëpo, në këtë shkollë kanë mbetur ende vende të lira për paralelet me mësim në gjuhën shqipe, pasi ka qenë më i madh edhe numri i atyre që nuk kanë plotësuar kriterin e pikëve. Pra, për shkak të suksesit jo edhe aq të mirë të notave, disa nxënës janë refuzuar dhe presim që të njëjtë të konkurrojnë në paraqitjen e dytë për drejtimet ku kërkohen më pak pikë.


Nga 170 vende në dispozicion të paraleleve shqipe, në “Maria Kiri Skllodovksa”, kanë mbetur të pa plotësuara edhe 70 vende. Jehona më e madhe, sikurse tregon Mustafa ka qenë për paralelet e drejtimeve shëndetësore, ndërsa në nivele të kënaqshme është edhe numri i nxënësve që janë regjistruar në paralelet e drejtimeve kimike.

Ajo që është vërejtur këtë vit, është edhe dallimi në suksesin e notave të vitit të nëntë e krahasuar me vitet tjera të shkollimit fillor. “Ndërprerja e vlerësimit ekstern, vërehet menjëherë në dëftesat e notave. Sivjet, për dallim prej viteve tjera, nxënësit kishin sukses shumë më të lartë të notave në vitin e fundit të shkollimit, sepse në mesataren e notave të vitit shkollor 2016/2017 nuk u shënua nota e testimit ekstern.

Nxënësit që konkurronin ishin me sukses të notave në klasën e nëntë shumë më të lartë, se sa suksesi i notave të klasës së tetë, shtatë e kështu me radhë. Pra, duket së ndërprerja e eksternes u ka dhënë hapësirë mësimdhënësve të jenë më dorë lëshuar në vlerësimin e nxënësve”, tregon Sherif Selimi nga Shkolla e mesme e mjekësisë “Pançe Karagjozov” në Shkup.