LAJMI I FUNDIT:

Shkodër, hetim për blerje vote

Shkodër, hetim për blerje vote

Pak ditë para zgjedhjeve, Pjetër Prendi nga Shkodra është shpallur në kërkim nga policia lokale për shkelje të ligjit në fushën e zgjedhjeve.

Vepra për të cilën shkodrani dyshohet është ajo e dhënies së shpërblimeve dhe premtimeve pasi pretendohet se 42-vjeçari me iniciativën e tij u ka ofruar 10 mijë lekë për çdo votë gati 40 shtetasve. Burimet thonë se policia është vënë në lëvizje pas kallzimit të dy qytetarëve dhe të kallzimit të një kandidati për deputet të një partie të vogël në Qarkun e Shkodrës, emri i të cilit është përmendur nga Prendi gjatë premtimit për blerjen e votës.

Por, ndërkohë hetimet për krime zgjedhore përfshinë edhe çështjen e burgut të Shkodrës, që parashikohet të nisë nga funksionimi në muajin nëntor. Policia e Tiranës njoftoi se ka referuar në prokurori për hetime ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, ish-shefin e personelit të burimeve njerëzore dhe ish-shefen e protokollit në këtë drejtori, transmeton Tch.


Policia njofton se është vënë në dijeni për përdorimin për fushatë elektorale të këtij dokumenti zyrtar, në të cilin shpallen fituesit për stafin civil për burgun Shkodër. Në këtë dokument konsiderohen gati për tu punësuar 20 persona, ndërkohë që policia dyshon se urdhri është fiktiv dhe është përdorur për fushatë në datën 15 qershor në Qarkun e Shkodrës. Dyshohet, thotë policia, se haptazi është konsumuar vepra e korrupsionit aktiv në zgjedhje duke premtuar një vend pune në kundërshtim me ligjin për zgjedhësit.

Sipas policisë, nga verifikimet konkludohet se procesi i rekrutimit të personelit të burgut Shkodër është ende në fazat fillestare.