LAJMI I FUNDIT:

Daul u bën thirrje grave dhe të rinjve që të votojnë më 11 qershor

Daul u bën thirrje grave dhe të rinjve që të votojnë më 11 qershor

Presidenti i Partive Popullore Evropiane (PPE), Joseph Daul, në një takim me Forumin e Gruas të LDK-së, u ka bërë thirrje grave dhe të rinjve që të dalin dhe të votojnë në zgjedhjet e 11 qershorit dhe të vendosin për të ardhmen e vendit të tyre.

“Të rinjtë kanë një vend të rëndësishëm në politikë, siç është Sebastian Kurtz, që sot është ministër i Punëve të Jashtme në Austri. Të gjithë ata që kanë marrë pjesë në forumet e të rinjve, mund të jenë pjesë e partive të tyre, për shembull në LDK, dhe në të ardhmen mund të jenë ministra apo drejtues të lartë të shtetit”, ka thënë Daul.

Daul ka thënë se LDK-ja është zgjidhja më e mirë për ta dërguar Kosovën në Evropë.


“Alternativat tjera e dërgojnë Kosovën në qorrsokak”, ka thënë Daul. Kryetarja e Forumit të Gruas e LDK-së, ka thënë se kjo parti u ka dhënë hapësirë të mjaftueshme grave dhe vajzave në vendimmarrje.

Kryeministri Mustafa, ka bërë shumë për fuqizimin e grave dhe vajzave, duke financuar të gjitha projektet që e fuqizojnë gruan në shoqëri. Ajo ka thënë se është shumë e bindur se edhe kryeministri i ri Avdullah Hoti, do të vazhdojë përkrahjen për gratë, pasi që kjo po vërehet edhe në programin e tij qeverisës.

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë se financimi i projekteve të grave dhe vajzave, nëpërmes granteve dhe subvencioneve do të jetë prioritet në fushën barazisë gjinore.

Ai ka thënë se buxheti i MPMS-së do të rritet në mënyrë progresive dhe përmes masave aktive të tregut të punës, si: subvencionimi i pagave, trajnimi në punë, praktika në punë, përmes granteve të vetëpunësimit do të targetohen gratë, të rinjtë, të papunët afatgjatë, si dhe përfituesit e ndihmave sociale. /Telegrafi/