LAJMI I FUNDIT:

Thaçi dhe Papadopoulou flasin për procesin zgjedhor në Kosovë

Thaçi dhe Papadopoulou flasin për procesin zgjedhor në Kosovë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar shefen e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, me të cilën bisedoi për bashkëpunimin në mes të gjithë mekanizmave të sigurisë gjatë procesit elektoral.

Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova ka ndërtuar traditë të zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike dhe se pret që edhe zgjedhjet e këtij viti të jenë në të njëjtën frymë.

Në takim u bisedua edhe për gjendjen e sigurisë në kontekst të fushatës elektorale dhe u nënvizua nevoja për bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve të të gjithë protagonistëve.


“Të gjithë ata që e duan Kosovën, janë për proces elektoral të qetë e të suksesshëm”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se është e rëndësishme që të përsëritet mesazhi që Kosova duhet të vazhdojë të dëshmojë se organizon zgjedhjet të standardeve më të larta.

Sipas tij, Kosova ka mbajtur zgjedhjet e standardeve më të larta. “Edhe këtë herë kemi siguruar vëzhgues që do të vërtetojnë se procesi elektoral është i këtyre standardeve”, u shpreh Presidenti Thaçi.

“Bëj thirrje edhe një herë te të gjithë që të angazhohemi për një proces të drejtë, të lirë dhe demokratik”, u shpreh Presidenti Thaçi.  /Telegrafi/