LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi: Mustafa – Hoti, Ali Hoxha – Hoxhë Alia

Krasniqi: Mustafa – Hoti, Ali Hoxha – Hoxhë Alia

Një prej nënkryetarëve të Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se në skenën politike po ndodhin koalicione të panatyrshme si dhe ka komentuar kandidimin e Avdullah Hotit për kryeministër nga LDK-ja.

Memli Krasniqi ka thënë se Avdullah Hoti nuk përbën ndryshim prej Isa Mustafës. Sipas tij, ndryshimi është Kadri Veseli, edhe pse në qeverisje ishin bashkë këto dy parti.


“Edhe pse kemi raporte korrekte, ne në PDK për këtë kandidimin mund të themi një fjalë të popullit: Ali Hoxha, Hoxhë Alia”, tha ai, shkruan KlanKosova.

Këtë “fjalë të popullit” e kishte përdorur edhe ish-shefi i tij, Hashim Thaçi në një rast në zgjedhjet lokale në Prishtinë.

Krasniqi duke folur për KlanKosova ka sulmuar AKR-në e Behgjet Pacollit, të cilës sipas Agim Bahtirit i ishte bërë një ofertë për koalicion, por që ishte refuzuar nga AKR-ja.

Ai ka thënë se aktivistë të AKR-së po kërkojnë t’i bashkangjiten PDK-së.

“Shumë aktivistë nga terreni, vecanarisht nga AKR, kanë shprehur dëshirën t’i bashkohen Fillimit të Ri”, tha ai.

Krasniqi tha po ashtu se PDK-së do t’i bashkangjiten edhe disa partia të reja.