LAJMI I FUNDIT:

Qeveria s’do të dëgjojë për transportin publik në Tetovë

Qeveria s’do të dëgjojë për transportin publik në Tetovë

Qytetit të Tetovës vite me radhë i mungon transporti urban. Që nga koha kur ka falimentuar ndërmarrja transportuese “Polet”, në Tetovë transporti publik është në kaos të vërtetë. Ekspertët e komunikacionit mendojnë se funksionalizimi i ndërmarrjes transportuese do të ndikonte në përmirësimin e kaosit që mbizotëron në rrugët e Tetovës tashmë një dekadë, shkruan gazeta Koha.

Duke u thirrur në kërkesat e mëhershme të Komunës së Tetovës që qeveria të ndajë autobusë edhe për Tetovën, me çka do të mund të bëhej realitet transporti urban, njohësi i rrethanave në sferën e komunikacionit Vullnet Palloshi, thotë se është e habitshme pasi që Komuna e Tetovës drejtohet nga kuadër pjesë e partisë që është në koalicion në pushtetin dhe kërkesa të has në vesh të shurdhër.

“Sigurisht se është zgjidhje, por gjëja më e çuditshme është se ne e dimë se kryetarja e komunës i kishte bërë kërkesë Qeverisë kur Shkupit iu ndanë 25 autobusë për të organizuar transportin publik dhe Kryetarja dha një deklaratë se edhe ajo kishte kërkuar autobusë për Tetovën, mirëpo si duket hasi në vesh të shurdhër”, thotë Palloshi.


Ai thekson se ekziston një ndërmarrje komunale në letër, megjithatë e njëjta nuk është jetësuar edhe në praktikë.

Edhe përkundër kërkesave, pushteti qendror gati dy vite është duke heshtur lidhur kërkesën e Komunës së Tetovës lidhur me ndarjen e autobusëve për të vënë në funksion transportin urban.

“Ne si autoritete e kemi theksuar dhe vazhdojmë të qëndrojmë në pikën që Qeveria e Republikës së Maqedonisë duhet të ketë ndarje proporcionale buxhetore. Fatkeqësisht, ky parim nuk është respektuar asnjëherë. Qeveria gjeti modusin dhe pati vullnetin që Qytetit të Shkupit t’i dhurojë të gjithë autobusët urban. Nisur nga ky fakt, ne si Komunë iu drejtuam shkresë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, respektivisht Ministrisë për Transport dhe Lidhje që me shembullin e Qytetit të Shkupit, se paku Komunës së dytë më të madhe në Maqedoni, Komunës së Tetovës, t’i dhurojë tetë autobusë që do t’u shërbejnë qytetarëve. Edhe përkundër këtij fakti, deri më sot përgjigje nuk kemi”, deklaroi Armend Fazliu, zëdhënës i Komunës së Tetovës.

Nga komuna e Tetovës theksuan se kriza politike ka penguar shumë në këtë drejtim.