LAJMI I FUNDIT:

Për mashtruesit e futbollit: Këto janë dënimet që parasheh ligji!

Për mashtruesit e futbollit: Këto janë dënimet që parasheh ligji!

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe institucionet tjera kompetente të Republikës së Kosovës, në dallim prej të kaluarës, tani e kanë shumë më të lehtë të merren me skandalet e njëpasnjëshme që po ndodhin ditëve të fundit në futbollin kosovar, ku në fokus janë dyshimet dhe skandalet e kurdisjeve të ndeshjeve futbollistike, e po ashtu dhuna e shfaqur, siç ndodhi së fundmi në Gjakovë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Kjo pasi sporti kosovar tashmë është plotësuar mirë me ligje nga Kuvendi i Kosovës, i cili para pak muajsh e ka miratuar edhe Ligjin për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive, i cili e parandalon dhe sanksionon edhe kurdisjet e rezultateve.

Gazeta “Zëri” në numrin e sotëm shkruan se ky ligj parasheh dënime prej 10 mijë eurosh deri në 50 mijë euro për manipuluesit e ndeshjeve sportive, të cilat mund të jenë federatat, klubet, shoqëritë sportive ose personat e tjerë juridikë që organizojnë ngjarje sportive e që nuk e përfillin këtë ligj. Por jo vetëm kaq.


Ky ligj u hap rrugë edhe dënimeve me burg për kryerësit e veprave mashtruese, çfarë janë edhe kurdisjet, konform Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Shqiptimi i masave të tjera juridike krahas dënimit për kundërvajtje, personave fizikë dhe juridikë që kanë kryer vepra penale në ngjarjet sportive u shqiptohen edhe masa të tjera të parapara me Kodin Penal”, thekson ky ligj i miratuar në dhjetor të vitit që lamë pas. Ndërkohë, Kodi Penal i Kosovës për mashtruesit me qëllime përfitimi parasheh dënime të ndryshme, deri me dhjetë vjet burgim.