LAJMI I FUNDIT:

Jonida Shehu: Provo gjithmonë edhe kur të duket e pamundur

Jonida Shehu: Provo gjithmonë edhe kur të duket e pamundur

Nëse e gjithë jeta e saj do të ishte një subjekt emisioni televiziv, i ngjashëm me formatin që ajo drejton prei vitesh, me gjasë që do kishte siguruar një audiencë maksimale! Me statusin e ri të mëmësisë, që ka sjellë ndryshime rrënjësore në gjithë stilin e përditshmërisë dhe angazhimeve të saj, ajo mbetet sërish një nga femrat më të dashura të ekranit shqiptar.

Po, flasim për Jonida Shehun, prezantuesen e emisionit “Pasdite në Top Channel”. Ajo thotë se televizioni do njerëz të vërtetë, dhe me gjasë që Jonida është një prej tyre. Duke sjellë në çdo copëz historie njerëzore apo intervistash të ndryshme, edhe anën e ndjeshme që jo pak herë shfaqet edhe në publik. Ajo di të jetë e fortë kur duhet, dhe jo pak herë e dobët sa herë që diçka e prek vërtet.

Pas afro pesë viteve në televizion, Jonida flet për anën e njohur dhe jo vetëm të profesionit të saj, sa herë mund të jetë ndier e gjykuar nga audienca, por kurrsesi nuk preferon që ta paragjykojnë, për ndikimin që ajo mund të ketë në botëkuptimin e njerëzve, etj. Sakaq, jeta private është një tjetër aspekt që e bën të ndihet e plotësuar si femër, si bashkëshorte, e së fundmi si nënë e Kristal, vajzës që ka ardhur si fryt i dashurisë me partnerin, për të cilin thotë se është pjesë e medies gjithashtu. Zbuloni shumëçka në këtë rrëfim në “Elegance” për të mos u humbur i prezantueses së njohur.


Ju keni intervistuar personazhe të ndryshëm ndër vite, gjatë angazhimit si drejtuese emisionesh televizive. Ka ndonjë syresh prej tyre, të cilin do doje ta veçoje, ose për të cilin do doje të flisje?

Në fakt kjo është shumë e vështirë, sepse po bëhen gati 15 vite në televizion dhe janë të shumta programet televizive që kam drejtuar dhe shumë më shumë personazhet e intervistuar. Nëse do të ulem e do të kem pak kohë në dispozicion do të veçoja shumë prej tyre të fushave të ndryshme, në kontekste të ndryshme, po për të vlerësuar një rrëfim një intervistë a një program varet shumë nga personazhi, po edhe nga rrethanat e tjera që përcaktojnë gjendjen. Eno Birko, balerini shqiptar në fillim të këtij sezoni televiziv të “Pasdites” më ka impresionuar me fuqinë e tij për t’u ringritur pas një periudhe të vështirë në jetën e tij deri në ringjitjen në skenën e teatrit të Operas dhe Baletit, e kjo për mua është një gjë e jashtëzakonshme, sepse tregon forcën e mendjes, por edhe filozofinë e vërtetë të jetës. Në programet e mëparshme Flori Mumajesi më ka lënë shije të mirë. Kemi bërë një bisedë shumë të këndshme e të vërtetë. Por dua t’i iki kësaj përzgjedhjeje mes tyre, sepse në fakt përveçse janë shumë nuk dua që të ndikoj në shijen që publikut mund t’i kenë lënë personazhet dhe kjo shije s’mund të jetë
e njëjtë me timen.

Shumëkush, sidomos person publik, nuk e ka luksin e të qenit i “pagjykuar”! Vlen e njëjta gjë edhe për ju?

Po kjo është gjëja më normale që i ndodh çdo njeriu publik në çfarëdo pozicioni qoftë. Kush punon gabon, asnjëri prej nesh nuk është perfekt apo i pagabueshëm. E rëndësishme është të jemi në kërkim të perfeksionit e të mos dorëzohemi për të qenë më të mirë se çfarë bëjmë. Nëse nuk do të dorëzohemi është e pashmangshme që të mos jemi sot më mirë se dje e nesër më mirë se sot. Dhe të qenit i gjykuar është pjesë e së tërës dhe pse jo edhe e vlefshme. Nuk më shqetësojnë gjykimet, më shqetësojnë më shumë paragjykimet, por gjithsesi kush bën një punë me profil publik ka dhe avantazhet e të shfaqurit zbuluar përtej paragjykimeve.

Gjithsesi, publiku është gjithnjë ai që jep gjykimin më të drejtë. Si ndikoni në jetën dhe botëkuptimin e teleshikuesve tuaj?

Këtë se kam të konfirmuar, sepse nuk ka një studim të mirëfilltë apo të saktë për çfarë mbetet tek teleshikuesit pas një sezoni televiziv. Janë dy drejtëza që na bashkëshoqërojnë çdo herë në këtë punë, cilësia (edukimi) dhe sasi (audienca) jo gjithmonë takohen në një pikë, po kur takohen mund të themi që kemi bërë një program të mirë të baraspeshuar dhe që mund të quhet një mision i përmbushur. Por, menjëherë pas kësaj fillon çdo gjë nga e para dhe Guri zbret përsëri në fund të malit dhe ti duhet t’ia nisësh nga puna nga e para me të njëjtin zell sikur Guri i madh i përgjegjësive të ngjitej lart për herë të fundit. Është e bukur, por jo e thjeshtë apo jo? E megjithatë lufta tjetër e madhe është të jesh vetë i motivuar çdo ditë e më shumë. Dhe për fat të keq nuk rrethohemi nga gjëra shumë motivuese, por duhet t’i gjejmë apo t’i shpikim ndonjëherë edhe nga hiçi.

E ke konsideruar idenë e të shkruarit të një autobiografie?

Jo! Më vjen të mendoj se autobiografitë janë për një kohë kur mund të jesh i distancuar nga ngjarjet e jetës tënde, kur vlerëson se jeta jote është një tullë e vogël e murit që ngremë përditë të gjithë bashkë, por të jetë një gur domethënës ndryshe nuk do të kishte kuptim. Përkundër kësaj, të gjithë në momente meditimi bëjmë një autobiografi, duke e parë veten nga jashtë, ose të paktën unë e bëj shpesh këtë ushtrim që më argëton shumë dhe më pëlqen, por ky është një variant i paplotë gjithmonë dhe i ndryshueshëm çdo ditë pothuajse.

Nëse nuk do ishit përfshirë në media, televizion, çfarë drejtimi do kishit zgjedhur për sferën tuaj profesionale?

Mbase mund të isha një juriste nëse do të kisha zgjedhur atë drejtim,që ishte mbase më potencial në prag të fillimit të studimeve. Por, gjithsesi s’e di. Këtë ushtrim nëse nuk do të kishte ndodhur kështu apo ashtu nuk e praktikoj shpesh. Nuk e di a do më kish pëlqyer ai profesion, por di që më pëlqen shumë ky që kam.

A ka diçka që nuk do ta bënit kurrë apo diçka që e shihni si të paarritshme nga ana juaj?

Gjërat janë të paarritshme apo të pamundura kur ti nuk i ke provuar. Nëse i provon ato bëhen të prekshme të mundura të thjeshta, të afërta. Në përgjithësi unë mendoj që gjërat duken të vështira vetëm nga larg. Megjithatë ka shumë gjëra që nuk do t’i bëja kurrë, janë shumë, kryesisht gjërat me të cilat s’jam dakord por s’mendoj për to.

Si ndihesh në rolin e mëmësisë?

Oh, është roli më i bukur deri tani dhe besoj përgjithmonë. E, gjej veten shpesh duke i kënduar e duke e parë veten e habitur që jam unë në këtë pozicion kaq fatlume që më shijon kaq shumë, po kaq shumë. E habitshme, të sjellësh në jetë një fëmijë është përballja e vetme me “Zotin” me konceptin e mrekullisë dhe nga ato gjëra që edhe shkencërisht po ta shohësh, ndjesia e diçkaje përtej është shumë evidente.

Çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj me lindjen e vajzës?

Gjithçka, nga më të voglat tek më të mëdhatë. Nga të zakonshmet tek më të jashtëzakonshmet. Rutina krejtësisht ndryshe, ndjesitë krejtësisht ndryshe, angazhimet absolutisht ndryshe. Shumë më shumë fuqi, energji, gjërat janë komplikuar në kuptimin e parë (duhet të organizosh çdo gjë deri në detaj), por njëkohësisht edhe janë thjeshtuar në maksimum, duken më të bukura, më të lehta, më të shtruara, me shumë më shumë kuptim.

Keni zgjedhur të keni një qasje diskrete sa i takon jetës private? Zgjedhje e partnerit për të mos u bërë figurë publike, pakt që ju e keni respektuar apo çfarë?

Në fakt, ne s’kemi ndonjë gjë të jashtëzakonshme për të qenë në sytë e të gjithëve. Më shumë se një zgjedhje është diçka e natyrshme. Unë jam gjithë kohën në sytë e publikut, sepse kjo është puna që bëj, por edhe bashkëshorti im është pjesë e kësaj industrie, po duket vetëm puna e tij e jo ai vetë. Nuk na është dashur kurrë deri tani ta bëjmë ndonjëherë këtë bisedë e të bëjmë një pakt për këtë. Secili në punën e tij pa ndikuar, vetëm duke ndihmuar në punën e tjetrit, dhe nga ana tjetër gjithmonë bashkë me gjithë angazhimet e veçuara.

Çfarë ju frymëzoi dhe motivoi që të përfshiheshit në industrinë e televizionit?

Unë kam studiuar për gazetari, dhe ishte e pashmangshme të isha në media. Por, pastaj vendosja në televizion, si shumë gjëra në jetë, ishte pjesë e rastësisë. Ti përfshihesh rastësisht dhe fillon mëson çdo ditë, sa ndonjëherë për shkak të vrullit televiziv nuk ke kohë të ndalosh e të mendosh pse unë këtu, pse këtu e jo diku tjetër apo gjëra të tilla. Mbase në momentin që u infektova dhe unë me këtë virus dhe e gjeta veten të “sëmurë” nga televizioni, mund të them ishte momenti që vendosa, por gjithsesi unë mendoj që nuk vendosim ne, është televizioni ai që vendos për ne shumëçka sa i përket këtyre angazhimeve.

Cila ka qenë shkëputja më e madhe për ju nga ekrani?

Doja shumë një periudhë të bëja një pauzë të vetëdijshme, por nuk zgjati dot shumë, vetëm pak muaj. Dhe me një ngacmim tundimi filloi përsëri aty ku kishte pushuar.

Gjëja që doni më shumë në punën tuaj?

Gjithçka! Edhe mërzitjen e skajshme kur nuk arrij dot atë që dua dhe si e dua. E dua shumë këtë punë, që është në fakt pjesa më e rëndësishme e jetës sime.

Keni një filozofi që e ndiqni në punën tuaj?

Provo gjithmonë edhe kur të duket e pamundur. Fillo puno prapë nesër nga e para. Bëji gjërat më shumë si i ndjen dhe jo shumë si i mendon. Televizioni do njerëz të vërtetë.

Të shkon ndonjëherë në mend t’i lësh të gjitha?

Po, është pjesë e zakonshme, pothuaj e përditshme. Gjithmonë dua diçka më tepër se ajo që dhashë dhe një fraksion i vogël që ti mendon t’i lësh të gjitha shoqëron çdo moment të tillë. Është e vështirë të kënaqesh me gjërat në televizion.

E konsideron veten feministe?

Jo ekstremisht! Besoj fort tek bashkëpunimi dhe s’e kam parë kurrë problem gjininë në profesion. Nuk më pëlqen utopia e barazisë absolute, se nuk më pëlqen burri që lan shtëpinë, por nëse e konsideron tjetrin me gjithë nevojat e tij dhe e mirëkupton s’ka rëndësi gjinia.

Jeni femër e fortë?

Mund të thuash po dhe mund të thuash jo në të njëjtën kohë, nëse më njeh mua nga afër. Ka situata kur jam e fortë për t’ia dalë edhe kur duket e pamundur, por jam shumë e dobët në situata krejt të zakonshme. Nuk jam personalitet as karakter i njëanshëm. E kam shumë të vështirë të qaj në publik, por zverdhem nëse shoh dikë në situatë të vështirë. Jetoj brenda një njeriu kompleks.

Çfarë bëni për të ruajtur një imazh të kuruar?

Rutinë të zakonshme! Rrallë maska e kujdes profesional, por vajzat e grimit në Top Channel janë gjithmonë aty për të kuruar imazhin tim. Në përditshmëri, nëse jeton në një lagje me mua do më shohësh shpesh pa krehur, sepse më pëlqen të jem e shkujdesur për të shijuar lirinë time.

Çfarë ju lumturon pa mëdyshje?

Tanimë Kristali kur qesh, kur fle, kur ushqehet…Dhe gjithmonë një foto familjare e familjes së vogël apo e familjes së madhe.

Për çfarë shqetësoheni më së shumti në jetë?

Për ashensorët që s’punojnë apo s’janë të mirëmbajtur shqetësohem më shumë se për çdo gjë tjetër. Po ashtu për ndotjen, ushqimet e pasigurta dhe njerëzit që vdesin nga kanceri.

Kur keni qenë më e lumtur?

Kur kam kuptuar se jemi pjesë e diçkaje më të madhe se ne dhe kur e kam parë veten dhe njeriun e zemrës të rikrijuar në një qenie që peshonte vetëm dy kilogram e gjysmë.

Në trend

Më shumë
Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Magazina
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Magazina
Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Ndërkombëtare
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së

Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Evropa

"Nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar" - gazetari rumun shumë kritikues ndaj tifozëve

Përfaqësuesja e Kosovës
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Kalo në kategori