LAJMI I FUNDIT:

Partitë politike në Maqedoni kërkojnë zgjidhje për krizën (Video)

Partitë politike në Maqedoni kërkojnë zgjidhje për krizën (Video)

Krerët e partive përbërëse të shumicës parlamentare kanë shpeshuar takimet mes tyre, për të vendosur strategjinë e rivënies në funksion të Kuvendit. Pas takimit të një dite më parë me kreun e BDI-së Ali Ahmeti, Zoran Zaev është takuar edhe më kreun e BESËS Bilall Kasami. Prioritet i partive do të jetë zgjedhja e kreut të ri të Kuvendit i cili do të duhet zyrtarisht të njoftojë presidentin Ivanov për formimin e shumicës parlamentare dhe të kërkojë mandatin për formimin e Qeverisë së re.

“Të gjitha angazhimet bëhen që të vihet në funksion Kuvendi, të zgjidhet organet e parlamentit, të bëhet kërkesë zyrtare nga organi i zgjedhur, nga kryetari i Kuvendit deri te kreu i shtetit për t’i dhënë mandatin, mandatarit të ardhshëm për formimin e Qeverisë së re”, deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Ishte një takim në vazhdën e konsultimeve për zhbllokimin e institucioneve dhe vazhdimin e proceseve në drejtim që Maqedonia t’i rikthehet rrugëtimit euro-atlantik, për detajet do të keni komunikatë”, u shpreh lideri i Besës, Bilall Kasami.


Për Rruga Drejt, kreu i LR-PDSH-së Ziadin Sela ka deklaruar se në rast se Ivanov edhe më tej vazhdon të shkelë Kushtetutën dhe të mos japë mandatin, shumica parlamentare ka të drejtë të votojë Qeverinë e re.

Ndonëse e ka në dorë çelësin për zgjidhjen e krizës, presidenti Gjorge Ivanov ka vendosur të zhvillojë një vizitë zyrtare në Azerbejxhan. LSDM-ja e akuzon presidentin për thellim të krizës politike, duke e lënë vendin pa asnjë institucion legjitim. Partia e Zaevit, ftoi Ivanovin të japë mandatin për formimin e Qeverisë.

Partitë në fjalë kanë njoftuar se takimet do të vazhdojnë deri në gjetjen e një zgjidhje për vazhdimin e punës së Kuvendit./Telegrafi/