LAJMI I FUNDIT:

Murtezaj në Budapest për koordinim të bashkëpunimit ekonomik Kosovë – Hungari

Murtezaj në Budapest për koordinim të bashkëpunimit ekonomik Kosovë – Hungari

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës,Valon Murtezaj po qëndron për vizitë zyrtare në Budapest, në cilësinë e bashkëkryesuesit të Komisionit të përbashkët për bashkëpunim ekonomik Kosovë-Hungari.

“Murtezaj ka takuar Sekretarin e Shtetit për Diplomaci Ekonomike në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Hungarisë, Levente Magyar me të cilin janë shqyrtuar përgatitjet për mbledhjen e parë të Komisionin ndërshtetëror për bashkëpunim ekonomik si dhe për organizimin e Forumit Ekonomik Kosovë-Hungari, i planifikuar të mbahet në fillim të muajit të ardhshëm në Prishtinë.

Gjatë vizitës zyrtare në këtë shtet, zëvendësministri Murtezaj është takuar edhe me Sekretarin e Shtetit për Diplomaci Shkencore dhe Kulturore të Hungarisë, ambasadorin István Íjgyártó. Në këtë takim është biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë dhe mundësitë e bashkëpunimit në sektorin e arsimit”, thuhet në njoftimin për media.


Në kuadër të vizitës shtetërore në Hungari, zëvendësministri Murtezaj do të ketë takime edhe me autoritetet lokale të qytetit kulturor të Pecsit, i shpallur kryeqytet i kulturës në Evropë për vitin 2010./Telegrafi/